Këshilli Etik i Odës së Mjekëve të Kosovës ka mbajtur sot seancën për rastin e drejtorit të Radiologjisë B.Gj. Prokurori i OMK-së Dr. Bajram Ajeti ka deklaruar se ekziston dyshimi i bazuar se i paraqituri ka bërë shkelje në rastin e protokollit për dozimin e kontrastit si dhe për mospërdorimin e faksimilit zyrtar të lëshuar nga Oda
Të paraqiturit B.Gj. në fillim të seancës i ka penguar prania e gazetarit të Gazetës Shneta, Bujar Vitija, për të cilin ka kërkuar nga Këshilli Etik që të largohet nga seanca, por kjo kërkesë e tij është refuzuar nga kryetari Dr. Fejsal Mehmeti.
B.Gj ka akuzuar disa radiologë që sipas tij kanë bashkëpunuar me gazetarin për të “shpifur” ndaj tij. Për shkak të rregullave të Këshillit Etik, emrat e radiologëve Gazeta do t’i publikojë vetëm me iniciale, sikurse edhe emrat e pjesëmarrësve tjerë në këtë seancë përveç anëtarëve të Këshillit dhe strukturave tjera të OMK-së.
“Gazetari ka qenë i instrumentalizuar nga N.Gj., A.K., I.A., etj, të cilët vazhdimisht kanë shpifur”, ka deklaruar B.Gj.
Pavarësisht kësaj, seanca ka vazhduar me praninë e gazetarit. Prokurori Bajram Ajeti ka deklaruar se “I paraqituri ka ushtruar veprimtarinë në Radiologji në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi pasi i njëjti ka nxjerr në zbatim protokollin për dozimin e kontrastit Clariscan në kundërshtim me udhëzuesin dhe duke mos përfillur rekomandimet e kolegëve të tij”.
“I njëjti nuk përdor faksimilen e lëshuar nga OMK. Ekziston dyshimi i bazuar se ai ka bërë shkelje të kodit të etikës, përkatësisht nenit 5, 32, 41, 42 dhe 74 të kodit të Etikës të OMK-së”, ka deklaruar Ajeti.
Prokurori ka shtuar se në momentin kur ka pa një deklarim të B.Gj. në media ku ka pranuar se janë ndryshuar protokollet, atëherë ka iniciuar procedurën ndaj tij.
B.Gj. ka deklaruar se kompania ‘Amicus’ nuk e kishte sjellë udhëzuesin për përdorimin e kontrastit ‘Clariscan’. Sipas tij, në momentin që është sjellë ky udhëzues, me datën 17 tetor 2019, pas katër ditësh është ndryshuar protokolli.
“Koment ka pasur nga Dr. I. i cili ka kërkuar nga unë që të zbatohen principet e shkruara nga ai në një letër, ndërsa unë kam kërkuar nga ai që të pritet udhëzuesi”.
“Sa i përket vulës e cila që nga momenti kur është aplikuar është debatuar dhe ka pasur zëra nëse duhet të përdoren për shkak të mungesës së titujve akademik. Ky lëshim nga Oda e Mjekëve është përmirësuar nga vet Oda dhe më pas i kemi marr vulat e reja me tituj akademik. Vet ndërrimi që është bërë nga Oda e zhvlerëson këtë inicim”, ka thënë B.Gj.
Ai ka vazhduar tutje me disa akuza të rënda ndaj një kolegu të tij. Sipas tij kjo histori ka filluar me përpilimin e Listës së re Esenciale, ku nga radiologjia kanë qenë dy përfaqësues, B.Gj dhe S.K. Sipas B.Gj. radiologu S.K. ka qenë i deleguar për kontrast dhe e ka vendosur fshehurazi një kontrast me emër të mbrojtur të kompanisë ‘Amicus’, përkundër dakordimit që të mos ketë favorizime dhe të përfshihen të gjithë prodhuesit botëror.
B.Gj. ka deklaruar tutje se në klinikën ku është menaxher ai, disa kolegë tij janë dashakeq dhe papunëtorë të cilët më me dëshirë rrijnë në kafe sesa në kabinet dhe e lënë teknikun vetëm me pacient. Kështu ai e ka arsyetuar vendosjen e protokollit që nëse radiologët nuk janë të pranishëm në kabinet, atëherë teknikët mund ta aplikojnë kontrastin në bazë të protokollit.
Tutje B.Gj. ka deklaruar se Komisioni i Ekspertëve në rastin e kontrastit i themeluar me kërkesë të OMK-së, ka dështuar të jap vlerësim profesional.
Në pyetjen nëse i ka kërkuar kompanisë që të sjellë udhëzuesin, B.Gj. është përgjigjur se zakonisht me operatorët ekonomikë komunikon gojarisht dhe jo nëpërmjet formave elektronike.
Në anën tjetër, anëtari i Komisionit të Ekspertëve, radiologu N.E. ka pohuar se nëse kontrasti është përdorur sipas protokollit të vendosur nga B.Gj., atëherë është bërë gabim.
“Nëse është aplikuar kontrasti ashtu siç ma kanë interpretuar, atëherë është bërë gabim. Është një veprim i paarsyeshëm dhe me konsekuenca tek pacientët”.
“Nëse nuk jepet sipas udhëzuesit, pasojat janë në interpretim të incizimeve sepse koncentrimi i kontrastit në procesin patologjik. Mundet me qenë gabim interpretimi dhe ju të gjithë jeni mjekë dhe e dini se çfarë do të thotë kjo. Një interpretim i gabueshëm mund të çojë në diagnozë të gabueshme”, ka deklaruar radiologu N.E.
Vendimi i Këshillit Etik do të merret pas shqyrtimit të provave dhe deklaratave të palëve. /Gazeta Shneta/