Përfundon trajnimi i gjeneratës së 14-të të infermierëve në Mjekësi Familjare

2017-12-20 në ora 14:27

Infermieret në Kujdesin Parësor Shëndetësor në Ferizaj kanë përfunduar me sukses trajnimin një vjeçar.

Në një njoftim të publikuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj, thuhet se gjenerata e 14-të e infermiereve ka kaluar në gjashë module, sikurse edhe gjeneratat në trajnimet tjera që nga viti 2001.

Njoftimi i plotë:

Përfundoi trajnimi i gjeneratës së 14 – të të infermierëve në Mjekësi Familjare

Trajnimi i infermiereve në Mjekësi Familjare, në kuadër të Zhvillimit të Vazhdueshëm Profesional ka filluar që nga viti 2001. Çdo vit është përzgjedhur një grup i infermiereve për të marrë pjesë në trajnimin njëvjeçar që është i ndarë në gjashtë module: Infermieria në KPSH, Edukimi dhe Promovimi Shëndetësor, Shëndeti Riprodhues, Shëndeti i Fëmijëve, Shëndeti Mendor dhe Infermieria Emergjente në KPSH.

Sot përfundoi trajnimi njëvjeçar i gjeneratës së 14 – të të infermierëve për Mjekësi Familjare, që ka filluar në muajin shkurt të këtij viti. Si edhe në trajnimet e viteve të tjera, infermierët edhe kësaj radhe iu nënshtruan gjashtë moduleve dhe në fund të secilit prej tyre u vlerësuan nga trajnerët Ali Shaqiri dhe Afërdita Muharremi.

Njohuritë që merren në këtë trajnim janë të domosdoshme për infermieret që punojnë në Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe pjesa dërmuese e tyre zbatohen në punën e përditshme. Lidhur me nivelin e aplikimit të këtyre njohurive në punë bëhen edhe auditime të ndryshme nga Ministria e Shëndetësisë, në të cilat infermierët e QKMF-së kanë treguar performancën e duhur.