Pesë mjekë kosovarë humbën jetën nga koronavirusi Covid-19, që nga shfaqja e rasteve të para të infeksionit në Kosovë nga muaji mars.
Deri më tani në Kosovë janë infektuar me Covid-19 afër 800 punëtorë shëndetësorë, ndërsa pesë mjekë përfunduan me fatalitet, shkruan Gazeta Shneta.
– Mjeku i parë që humbi betejën me Covid ishte Dr. Fadil Zuka nga komuna e Vitisë. Dr. Zuka i takonte gjeneratës së mjekëve që ishin të persekutuar nga regjimi serb dhe kishin bërë shumë sakrifica për të ju shërbyer popullatës shqiptare që nga vitet e 90-ta. Në kohët më të vështira kishte shërbyer në Ambulanten e Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë” në Viti, pastaj në Pozheran.
– Kirurgu Ali Tolaj i lindur në vitin 1961 ka studiuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Fillimisht ka punuar si mjekë i përgjithshëm e më pas studimet postdiplomike i ka kryer në Beograd ku ishte specializuar në vitin 1995. I ndjeri ka shërbyer si mjek gjatë gjithë kohës në Spitalin e Gjakovës në vitin 1999 duke ju dal në ndihmë edhe UÇK-së.
Dr. Ali Tolaj- Prof. Dr. Sylejman Rexhepi Mjek internist, reumatolog, doktor i shkencave dhe profesor asoc. Diplomoi në fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë më 1979. Pas diplomimit punësohet në shtëpinë e Shëndetit Ferizaj. Më 1981 fillon specializimin në mjekësi interne në Prishtinë, qëndron një muaj në institutin e sëmundjeve kardiovaskulare në Bolonjë dhe specializon në Nish më 1985. Më 1983 punësohet në Klinikën Interne-njësia e Reumatologjisë në Prishtinë. Më 1985 autorizohet asistent, më 1987 zgjidhet asistent dhe më 1999 docent i lëndës Mjekësia Interne në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Më 1986 regjistron studimet pasdiplomike në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb dhe më 1991 mbron temën e magjistraturës. Gjatë periudhës 1987-89 ishte bartës i projektit shkencor mbi ethet reumatike në Kosovë dhe ka marr pjesë në organizimin e 6 simpoziumeve për këtë problematikë.
– Në moshën 56-vjeçare ka ndërruar jetë Dr. Lulzim Kolgjeraj. Dr. Kolgjeraj i ka shërbyer shëndetësisë primare në Prizren për rreth tri dekada dhe ka qenë specialist i mjekësisë familjare në QMF në Gjonaj. Kjo është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për gjithë komunitetin shëndetësor.
– Mjeku i fundit që përfundoi me fatalitet ishte Dr. Kujtim Zarari. I ndjeri ndërroi jetë në moshën 51-vjeçare. /Gazeta Shneta/