Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani dhe ish-ministri Uran Ismaili janë përplasur me një debat të ashpër për një letër që Osmani kishte pranuar nga Sekretari i MSH-së Naim Bardiqi.
Osmani ka bërë të ditur se Bardiqi ia kishte dërguar një letër asaj ku i kishte treguar se Ministria e Shëndetësisë ka pranuar donacione nga Serbia që nga viti 2016 në vlerë miliona euro. Kjo deklaratë e Osmanit ka bërë që të reagojë Uran Ismaili i cili e ka udhëhequr MSH-në për më shumë se dy vjet në Qeverinë Haradinaj, shkruan Gazeta Shneta.
Ismaili ka thënë se donacionet në Kosovë kanë ardhur në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës, ndërsa testet për Covid-19 janë kontrabanduar nga Serbia. Ismaili ka thënë se Osmani nuk duhet të bazohet në një letër pa e vërtetuar atë, duke ngritur kështu dyshime mbi vërtetësinë e deklaratës së Osmanit dhe letrës së dërguar nga Sekretari.
“Testet kanë ardhë në gepek, jo në bagazh sepse nuk kanë ardhë nga Shqipëria, por në gepek nga Serbia përmes njerëzve të Gjuriqit dhe i kanë dërguar në Institut kontrabandë dhe ato teste nuk janë përdorur”, ka deklaruar Ismaili.
Osmani në anën tjetër ka replikuar duke thënë se sekretari ka punuar në MSH në kohën kur Ismaili ka qenë ministër. “Sekretari i cili ka punuar në kohën e juaj ka dërguar letër zyrtare në cilësinë e kryetares së kuvendit dhe detyra ime është të ju njoftoj juve. Në këtë letër trajtohet edhe çështja e respektimit të marrëveshjeve. Këtë letër do t’ua dorëzoj juve si deputet dhe mënyra se si kanë hyrë unë nuk dhashë asnjë konstatim dhe asnjë arsyetim. Për mua donacioni nga Serbia nuk ka asnjë arsyetim as për 2016, 17, 18, 19, dhe as 2020”, ka deklaruar Osmani.
Por sërish ka reaguar Ismaili duke thënë se “Donacionet i vendose në një kontekst që gjithmonë paska pasur donacione, por e vërteta nuk është kjo. Po flasim për kontrabandë dhe po flasim për donacione”, ka thënë ai.
Ismaili në anën tjetër ka deklaruar se barnat në kohën e pandemisë janë blerë me çmime të larta.
“Barnat dhe materialet janë blerë më shtrenjtë, ky është realitet dhe duhet të hetohet. Unë për dy vite kam luftuar për këtë. Ju nuk mundeni me fol me mu për këtë sepse unë e kam luftuar vet. Nuk po dua të them se Arben Vitia i ka vjedh me dorën e vet. Por duhet të hetohen sepse barnat janë blerë me çmime të shtrenjta. Sot po bëhet luftë e tmerrshme për me ndalu dhe revoku UA që rregullon çmimin e barnave. Pse me u ble barnat më shtrenjtë në Kosovë sesa në Maqedoni dhe Shqipëri”, ka thënë Ismaili.
Kujtojmë se Bardiqi ishte emëruar Sekretar i MSH-së nga Ismaili në gusht të vitit 2018. /Gazeta Shneta/