Përse disa gra kanë kruarje më të mëdha gjatë shtatzënisë, a përbën rrezik për foshnjën?

2018-08-27 në ora 19:10

Disa shtatzëni mund të shfaqin komplikime të tilla si rreziku për abort apo gjakderdhja, të cilat njihen nga nëna për rrezikun që ato paraqesin. Disa gjendje të tjera mund të dëmtojnë nënën dhe fëmijën, por gjithsesi janë më pak të njohura për të.

Kruajtjet e lëkurës gjatë shtatzënisë

Kruajtjet e lëkurës janë shumë normale gjatë shtatzënisë duke qënë se fluksi i gjakut në shtresat e lëkurës rritet ndjeshëm, por jo vetëm pasi një situatë të tillë e shkakton edhe tërheqja e lëkurës si pasojë e hapjes që ajo pëson.

Kjo kruajtje është e ndryshme nga ajo që shkakton kolestaza obstetike, të cilat në këtë rast do të jenë shumë intensive dhe zakonisht fillojnë në javën 25-28 të shtatzënisë. Situata mund të përkeqësohet kryesisht gjatë natës, duke prekur më shumë krahët, këmbët, dhe pëllëmbët e duarve, pa harruar të përmendim se në disa raste mund të shfaqen kruajtje intensive edhe në fytyrë, në gjoks dhe në pjesën e pasme të trupit.

Shpesh gruaja mund të paraqitet me dëmtime dhe gërvishtje në lëkurë si pasojë e kruarjeve të saj, të cilat mund të komplikohen duke u prekur nga infeksione bakteriale. Si pasojë e kruajtjeve intensive edhe thonjtë e gruas mund të paraqiten të shndritshme dhe të lëmuara.

Simptomat mund të jenë prezente për disa ditë ose disa javë dhe në këtë rast duhet bërë një test që bën diagnostikimin e mosfunksionimit korrekt ose jo të mëlçisë. Situata shpesh zgjidhet pas lindjes.

Shkaqet

Shkaqet që e shkaktojnë këtë problem mendohet se janë hormonet e nënës të cilët ndikojnë edhe në aftësinë e mëlçisë për të transportuar disa substance të caktuara kimike si për shembull bilën. Këto substanca kimike akumulohen në gjak duke shkaktuar stimulimin e nervave që ndodhen poshtë lëkurës, gjendje e cila shkakton kruajtje të mëdha tek gruaja.

Rreziku për fëmijën

Një nga rreziqet që ky problem shkakton tek fëmija është lindja parakohe, vuajtje fetale gjatë lindjes dhe një rrezik i vogël për të lindur një fëmijë pa jetë. Nëse mendoni se keni një nga simptomat e kolestazës obstetrike, duhet të kontaktoni në mënyrë të menjëhershme me mjekun tuaj gjinekolog, i cili do t’ju udhëzojë të bëni një analizë gjaku me anën e së cilës do të shikojë nëse mëlçia po e kryen funksionin e saj në mënyrën e duhur. Kjo do të bëhet nga matja e sasisë së kripërave të bilës në gjak./Burimi ”Për nënat”