Janë përuruar sërish pajisjet që kanë ardhur donacion nga qeveria e Japonisë, por kësaj radhe është ftuar ambasadori Kiyoshi Koinuma, për dallim nga hera e parë kur pajisjet ishin prezantuar si investim i MSH-së nga ministri në largim Uran Ismaili
Pak ditë para se të mbaheshin zgjedhjet e 6 tetorit, më 18 shtator ministri në largim Uran Ismaili së bashku me drejtorin e SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu, përuruan CT-në e instaluar në Klinikën e Neurologjisë në QKUK. As Ismaili e as Sejdiu nuk e kishin përmendur se kjo pajisje ishte donacion nga Qeveria e Japonisë, shkruan Gazeta Shneta.
E kjo aparaturë është përuruar për herë të dytë, por kësaj radhe është ftuar ambasadori japonez Kiyoshi Koinuma. Ky i fundit ka parë nga afër aparaturat që janë blerë me paratë e taksapaguesve të shtetit të tij.
Koinuma ka thënë se ky donacion vjen pas marrëdhënieve të mira që kanë Japonia dhe Kosova. Ai deklaroi se Japonia do të vazhdojë të mbështes shtetin e Kosovës.
Drejtori i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, tha se javën tjetër pritet të vijë edhe MRI-ja dhe sipas tij do të fillohet me intervenimet në tru.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, njoftoi se vlera e donacionit është 1.3 milion euro, kurse pajisjet e dhuruar po u shërbejnë pacientëve duke u mundësuar që mos ta kërkojnë ndihmë në klinikat private. /Gazeta Shneta/