Qendra Klinike Universitare e Kosovës po kalon në një fazë ku furnizimi me barna kurrë nuk ka qenë më keq.
Pacientët e sëmurë nga leukemi kronike nuk janë furnizuar me barna që nga muaji mars i vitit të kaluar. Pa barna janë edhe pacientët e neurologjisë, të sëmurët nga diabeti nuk po furnizohen me insulina dhe po aq keq janë edhe pacientët e dializës, shkruan Gazeta Shneta.
Por përveç mungesës së barnave, klinikat e QKUK-së po përballen edhe me mungesë të materialeve tjera medicinale.
QKUK nuk është furnizuar me Povidon jod (Betadine) që prej muajit prill të vitit të kaluar. Pa jod kanë mbetur edhe klinikat e kirurgjisë, ku familjarët duhet ta blejnë vet për pacientët që kryjnë operacione.
Përkundër mungesës së barnave dhe materialeve, Barnatorja Qendrore e SHSKUK-së thotë se po furnizohen në vazhdimësi.
“Barnatorja Qendrore është duke u furnizuar në vazhdimësi me produkte farmaceutike-mjekësore të LE, dhe çdo ditë kemi pranime të barnave dhe materialit medicinal për TM1 dhe niveli i furnizimit është në përmirësim të dukshëm dhe ditët në vijim poashtu do të ketë përmirësime të ndjeshme”, thuhet në një përgjigje për Gazeta Shneta.
Por përmirësim të dukshëm siç pretendohet nga Barnatorja Qendrore, nuk pritet të ketë së paku edhe një muaj.
Kështu ka deklaruar vet ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në një intervistë për Gazeta Shneta.
Ismaili ka bërë të ditur se janë duke krijuar një sistem të ri i cili do të mundësojë furnizim të vazhdueshëm nëpërmjet njoftimit për skadimin e kontratave disa muaj më herët.
Ai ka thënë se gjatë muajit mars do të procedohen të gjitha ofertat për furnizim me barna nga Lista Esenciale. /Gazeta Shneta/