Mjekët e Kirurgjisë Abdominale kanë marr një vendim sot në mëngjes për vazhdimin e grevës të cilën e nisën 1 javë më parë.
Por brenda ditës janë tërhequr nga ky vendim, pas një takimi që patën me Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, Zv.ministrin Dr. Rrustem Musa dhe drejtorin e SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu, shkruan Gazeta Shneta.
Ata i bindën mjekët se kërkesa e tyre për rritje të pagave do të realizohet në qershor, pas rishikimit të buxhetit.
Në një njoftim të dërguar nga SHSKUK, thuhet se palët kanë arritur një marrëveshje që mjekët të përfshihen në grupet punuese për kategorizimin e pagave.
“Në takim është arritur marrëveshja që greva të pezullohet dhe mjekët të jenë të kyçur në grupet punuese që do të punojë në kategorizimin e pagave që do të ndodhë me Ligjin e ri të Pagave, pas rishikimit të buxhetit”, thuhet në njoftim.
Në grevë kanë qenë të përfshira Klinika e Kirurgjisë Abdominale, Torakale, ajo e Fëmijëve dhe Urologjia. Poashtu në grevë javën e kaluar hynë edhe repartet e kirurgjisë në Spitalin e Mitrovicës dhe Prizrenit. /Gazeta Shneta/