Kompania amerikane Pfizer, ka shtyer aplikimin rreth vaksinës së tyre në FDA, tek fëmijët nën moshën 5 vjeç.
Pfizer aktualisht po teston një dozë të tretë në këtë grupmoshë për mbrojtje optimale, shkruan Very Well Family përcjell Gazeta Shneta.
Ndër të tjera, kompania amerikane pret të ketë informacion të përditësuar të provës klinike deri në muajin prill 2022.
Ky lajm vjen si një pengesë për prindërit e fëmijëve të vegjël që presin me padurim mundësinë për të vaksinuar fëmijët e tyre.
FDA miratoi vaksinën Pfizer për COVID-19 në grup-moshat 12 deri 15-vjeç, në maj 2021 dhe për 5 deri 11-vjeç në fund të tetorit 2021. Aktualisht nuk ka asnjë vaksinë për COVID-19 për fëmijët nën moshën 5-vjeçe.
Për muaj të tërë – prindërit e bebeve, të vegjëlve dhe parashkollorëve shpresonin për vaksinën që do ti mbronin fëmijët e tyre nga rezultatet më të rënda të COVID-19, veçanërisht pasi shtrimet në spital të fëmijëve të vegjël e të pavaksinuar u rritën gjatë rritjes së rasteve me Omicron.
“Duke pasur parasysh që studimi po përparon me një ritëm të shpejtë, kompanitë do të presin për të dhënat e tre dozave pasi Pfizer dhe BioNTech vazhdojnë të besojnë se mund të ofrojnë një nivel më të lartë mbrojtjeje në këtë grupmoshë”, njoftoi Pfizer në deklaratën e tyre për shtyp.
Ndryshimi i planeve nuk do të thotë se ka probleme me vaksinën, raporton Dr. Zachary Hoy, specialist i sëmundjeve infektive pediatrike në ‘Nashville Pediatric Infectious Disease’.
Përkundrazi, studiuesit duan të sigurohen që vaksina të jetë sa më efektive që të jetë e mundur.
Sipas Pfizer, një dozë 3 μg vaksine ishte në gjendje të prodhonte një përgjigje të fortë imune tek foshnjat, të ngjashme me përgjigjen imune që vaksina prodhoi te moshat 16 deri në 25 vjeç.
Megjithatë, përgjigja imune tek fëmijët 2 deri në 4 vjeç nuk ishte aq e fortë. Pfizer e ndërpreu provën për të testuar një dozë të tretë prej 3 µg në grupin 2 deri në 4 vjeç për të parë nëse jepte rezultate më të forta. Kompania amerikane, njoftoi se planifikon të mbledhë të dhëna të reja më shpejt dhe duhet të ketë të disponueshme rezultatet e provës me tre doza deri në fillim të prillit 2022. /Gazeta Shneta/