Policia e Kosovës e ka arrestuar zyrtarin e IT-së në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Leotrim Jahja.
Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se Jahja është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, shkruan Gazeta Shneta.
Poashtu Prokuroria ka njoftuar se kishte hetuar disa muaj këtë rast në lidhje me veprën që dyshohet se ka kryer zyrtari i IT-së.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, thuhet se veprën e ka kryer në cilësinë e menaxherit të kontratës nga QKUK “furnizimi dhe montimi i sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe integirmi i sistemit të kontrollit të qasjes”.
Për këtë rast ka raportuar edhe Gazeta Shneta lidhur me dyshimet për avullimin e mbi 100 mijë eurove. Këto dyshime ishin ngritur pas një auditimi të kryer nga Auditori i Brendshëm i SHSKUK-së me kërkesë të Bordit Drejtues.
Auditori kishte hetuar një kontratë për sistemin e kamerave dhe dhomën e monitorimit në QKUK, por nuk kishte gjetur materialet e blera me buxhetin e QKUK-së të cilat kishin kushtuar mbi 100 mijë euro.
Auditimi ishte ndërprerë menjëherë dhe rasti ishte dorëzuar në Policinë e Kosovës. Kjo e fundit kishte filluar hetimet disa ditë pas njoftimit si dhe kishte konfiskuar provat.
Në anën tjetër menaxhmenti i QKUK-së kishte pezulluar nga puna tre punonjësit e IT-së, ku ndër ta ishte edhe i arrestuari i sotëm Leotrim Jahja. Ndërkaq në pezullim janë edhe Faton Hajzeraj dhe Ylber Krasniqi. /Gazeta Shneta/