Policia jep detajet: Si vdiqën tre persona në aksidentin në Kaçanik

2018-06-08 në ora 09:21

Policia e Kosovës ka dhënë detajet e para zyrtare për aksidentin në magjistralen Kaçanik-Ferizaj i cili ndodhi në orët e para të ditës së sotme. Aksidenti ua mori jetën tre personave ndërsa la të lënduar rëndë një tjetër.

“Sipas raporteve të para, rasti ka ndodhur kur ngasësi i veturës Opel Astra, me targa lokale (F.B m/sh/k ), duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës, humb kontrollin mbi automjetin, duke dalë nga rruga dhe duke u përplasur në disa grumbuj dheu dhe gurësh skaj rruge dhe duke u rrokullisur me automjetin, me ç’rast vozitësi dhe tre pasagjerët, sipas mjekëve, kishin pësuar lëndime të rënda e si pasojë, ngasësi i automjetit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kurse tre pasagjerët janë dërguar në QKUK Prishtinë dhe pas një kohe jemi informuar se dy nga të lënduarit kanë ndërruar jetë, ndërsa pasagjeri i tretë është në mjekim intensiv”, thotë policia.

Trupat e pajetë të viktimave, me urdhër të Prokurorit dërgohen në Institutin e mjekësisë ligjore për obduksion. Me rastin janë duke u marrë hetuesit e Njësitit të trafikut rrugor në bashkëpunim me prokurorin e Shtetit. /Gazeta Shneta/