I plotësuar – Policia e Kosovës e ka konfirmuar incidentin ndërmjet kardiokirurgut Dr. Adem Grbolar dhe specializantit Endrit Shala në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK.
Zëdhënësja Flora Ahmeti ka deklaruar për Gazetën Shneta se rasti është lajmëruar në stacionin e Jugut në Prishtinë, dhe tani po merren njësitet përkatëse.
“Sot rreth orës 12:00 kemi pranuar informatën për një mosmarrëveshje në QKUK në mes të dy personave. Rasti është në fazën fillestare të intervistimeve dhe me të po merren njësitet policore kompetente të stacionit Jugu në Prishtinë”, ka deklaruar Ahmeti.
Gazeta Shneta ka raportuar më herët për dyshimet e një sulmi fizik ndërmjet Grbolar dhe Shalës në sallën operative në Kardiokirurgji.
Për këtë rast është njoftuar edhe drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu, i cili ka thënë se do të merren masa. /Gazeta Shneta/
Kardiokirurgu dyshohet se e ka sulmuar fizikisht specializantin në Kardiokirurgji të QKUK-së
Kardiokirurgu Dr. Adem Grbolar po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht specializantin Dr. Endrit Shala.
Rasti ka ndodhur pak momente më parë në sallën e operacionit në Klinikën e Kardiokirurgjisë, ku Grbolar është shef, shkruan Gazeta Shneta.
“Dr. Ademi e ka sulmuar specializantin në sallën e operacionit. Nuk e ka lënë me hy në sallë”, ka thënë një burim nga klinika për Gazetën duke mos dhënë detaje tjera rreth rastit.
Gazeta ka kontaktuar me mjekët e apostrofuar. Shala nuk ka pranuar të flas rreth rastit, ndërsa Grbolar nuk e ka hapur telefonin.
Rasti është paraqitur në Policinë e Kosovës, ndërsa edhe menaxhmenti i SHSKUK-së është në dijeni. Drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu ka thënë për Gazetën se janë duke u marr me këtë rast dhe pasi të sqarohet gjithçka do të merren masa. /Gazeta Shneta/