Zyrtari i Prokurimit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore Alban Pozhegu, në cilësinë e sinjalizuesit ka implikuar disa kolegë të tij për keqpërdorime me disa tenderë.
Pozhegu i cili ishte shkarkuar nga pozita në FSSHK me arsyetimin se kishte keqpërdorur emailin zyrtar, thotë se në fakt shkarkimi i tij ka ardhur pasi kishte kërkuar anulimin e tenderit për “Salbutamol”, për shkak të çmimeve të larta.
Pozhegu në emisionin “Cosmo” të KTV-së ka implikuar disa persona për keqpërdorime me tenderë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Drejtori i FSSHK-së Fatmir Plakiqi thotë se Pozhegu është larguar nga puna për shkak të sjelljes së tij joadekuate në vendin e punës, mos respektim të hierarkisë.
Pozhegu ka folur për një kontratë për furnizim emergjent për hemodializë. Bartës i kësaj lënde kishte qenë Berat Marmullaku dhe autorizues Artan Fejza ndërsa aprovues i pagesave sipas tij ishte Fatmir Plakiqi. “Në bazë të kësaj kontrate ka qenë e nënshkruar prej vetëm dy personave prej drejtorit Artan Fejza dhe prej kompanisë”.
Sipas tij Ligji i Prokurimit kërkon që kontratat me vlerë të madhe mbi 125 mijë euro duhet të nënshkruhen nga drejtori dhe udhëheqësi administrativ, që në këtë rast nuk ka ndodhur. Ai ka thënë se për këtë rast kishte dhënë intervistë tek hetuesit e prokurorisë speciale.
Pozhegu tutje ka përmendur edhe një rast tjetër kur FSSHK i kishte dhënë tender për mirambajtje një kompanie e cila ishte nënshkruar nga personi i autorizuar Artan Leka. Më pas ky person ishte punësuar si zyrtar i logjistikës në FSSHK, dhe i njëjti kishte aprovuar pagesën për kompaninë me të cilën kishte fituar kontratën për mirëmbajtje.
Plakiqi ka mohuar se ka ndodhur një gjë e tillë duke thënë se zyrtarët e logjistikës nuk aprovojnë pagesa. Ai ka thënë se për këto raste nuk flet pasi janë duke u hetuar.
Më poshtë është video e plotë e emisionit në KTV.