Është mendim i gabuar që fëmijët duhet të luajnë shumë vetëm sa janë të vegjël, gjegjësisht deri para shkuarjes në shkollë, nga se ky është ndryshim i rëndësishëm në jetën e fëmijës. Pra, me shkuarjen në shkollë, fillojnë edhe obligimet e para të vërteta, ndarja e parë nga prindërit, mënyra e re dhe regjim i ri i jetës, por, edhe përpos kësaj, fëmija mbetet fëmi në kuptimin e vërtetë të fjalës – në ëndrrat e tij, fantazinë, pa brenga (edhe pse në një dozë të vogël, nga se obligimet shkollore shumicës i sjellin brenga) dhe nevojën e madhe për lojë.
Në shumë sisteme të zhvilluara shkollore nevoja e fëmijës për lojë në tërësi respektohet dhe dy – tre vitet e para në shkollë fëmijët kryesisht mësojnë nëpërmes lojës. Mjerisht, sistemet rigjide komuniste dhe socialiste kanë imponuar respektimin e ashpër të rregullave, uniformitetin në punë, idenë e barazisë në të cilat nevojat e ndryshme të fëmijëve, inovacionet dhe kuptimi për punë inovative nuk mundën të vijnë në shprehje.
Ndoshta këto përvoja të hidhura nga shkolla kanë ndikuar tek të rriturit të cilët sot pengojnë fëmijët e tyre, duke mos u ofruar liri të duhur në zhvillim. Në anën tjetër, ekzistojnë edhe prindërit të cilët për së tepërmi lëshojnë fëmijët e tyre dhe përsëri, dëmtojnë edukimin e tyre të drejtë.
Shumica e prindërve, fatkeqësisht kanë paragjykim të keq për shkollën dhe mendimi që ajo është ent në të cilin çdo gjë është e bazuar në ashpërsi, punë të lodhur dhe mësim. E çfarë është më e keqe, këto qëndrime përcillen edhe tek fëmijët.
Hulumtimet kanë treguar që shumica e prindërve mendojnë që fëmijët e urrejnë shkollën.
Në pyetjen: përse dëshironi të shkoni në shkollë? – gati të gjithë fëmijët janë përgjigjur për shkak të lojës, shoqërimit dhe mësimit. Pra, në shkollë ka lojë dhe duhet të ketë! Këtu, assesi nuk arsyetojmë qëndrimet e arsimtarëve të cilët mendojnë që loja në klasë prishë diciplinën dhe autoritetin e tyre, dhe mu për këtë nuk e praktikojnë në mësim. Atyre u duhet tu jetë e qartë që loja është mjet i shkëlqyer edukues dhe që në lojë fëmijët shumçka mund të mësojnë më lehtë dhe më shpejtë.
RËNDËSIA E LOJËS PËR FËMIJËT
Loja ka rëndësi sociologjike, psikologjike dhe rol pedagogjik në zhvillimin e fëmijëve. Roli sociologjik i lojës qëndron në zhvillimin shoqëror të fëmijëve në lojrat kolektive, miratimin e rregullave të lojës, nderimin e normave të sjelljes në lojë, njohja dhe respektimi i lojtarëve tjerë, etj.
Shoqërimi me të tjerët, fëmija komunikon me ata, njoftohet, mëson nga ata, e që më vonë do t’i ndihmoj shumë në komunikim me fëmijët tjerë, por edhe me të rriturit. Roli psikologjik i lojës qëndron në atë që nëpërmes lojës fëmija ushtron dhe mprehë perceptimin (vëzhgimin) e tij, zhvillon fantazinë, mendimin, inovacionin, memorien, por paraqet edhe emocionin e tij. Në lojë fëmijët më së tepërmi përjetojnë gëzimin, kënaqësinë, lumturinë, por rrallë edhe hidhërimin. Loja ndihmon fëmijët si ventil emocional në zbrazjen si të energjisë, ashtu edhe ndjenjave.
Poli pedagogjik i lojës shihet në zhvillimin e cilësive pozitive të personalitetit të fëmijës; shkathtësinë, qëndrimin, durimin, gjeturinë, vazhdimsinë, pastaj zhvillimin e frymës garuese, respektimin e të tjerëve, vetnderimin, si dhe forcimin e cilësive morale të personalitetit.
Përveç kësaj, fëmijët nëpërmes lojës zhvillojnë dhe forcojnë trupin, e që kontribon gjendjes më të mirë shëndetësore të tyre. Kjo posaqërisht ka të bëjë me lojrat në ajër të pastër në natyrë. Me aktivitete fizike forcohet muskulatura e fëmiut, bëhet shkëmbimi fiziologjik i gazrave në mushkëri, përshpejtohet qarkullimi i gjakut, lirohet tepricë e energjisë. Në të kundërtën fëmijët në shumicën e rasteve janë hiperaktiv, nervoz dhe të tërbuar. Këtyre lojrave duhet, si kundërpeshë t’i bashkëngjisim lojëra inovative në të cilat do të nxitet fantazia e fëmijëve dhe inovacionet, duke ndërtuar ndjenjën për bukurinë dhe për inovacionin. Lojrat në të cilat fëmija duhet të mendoj, gjithashtu kanë rol të rëndësishëm në zhvillimin intelektual të fëmijës.