Në Shkollën Fillore “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë, para pak ditësh ka ndodhur një incident ndërmjet një nxënësi dhe mësueses.
Nxënësi i prekur nga çrregullimi hiperaktiv, ka goditur mësuesen si dhe ka shkaktuar frikë te nxënësit e tjerë për çka prindërit janë detyruar t’i tërheqin fëmijët nga shkolla dhe të bojkotohet mësimi.
Këto detaje i ka bërë të ditur për Gazeta Shneta, një prind i kësaj klase 4/4.
“Incidenti ka ndodhur para disa ditësh dhe deri më sot nuk është ndërmarrë asgjë. Sot kemi mbajtur një mbledhje me drejtoreshën e shkollës dhe zëvendësdrejtoreshën dhe kemi vendosur për bojkotim të mësimit”, ka deklaruar ky prind duke mos dashur t’i bëhet emri i ditur.
Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, ai poashtu nuk ka pranuar të jap edhe detaje për emrin e nxënësit dhe prindit të tij, por për këtë të fundit thotë se e ka ofenduar e kërcënuar drejtoreshën e shkollës dhe mësuesen e klasës.
“Ka përdorë fjalë ofenduese ndaj saj dhe nuk ka qenë fare bashkëpunues. Për këtë gjë janë të njoftuar edhe Drejtoria e Arsimit pasi kanë qenë dy inspektorë për këtë rast”, ka shtuar ai.
“Ne nuk kemi asgjë kundër nxënësit të sëmurë, por sjellja e tij ka shkaktuar frikë te fëmijët tanë dhe jemi detyruar të ndërpresim mësimin”, deklaroi ai.
Drejtoresha e Shkollës, Shpresa Shala, nuk ka pranuar të prononcohet për rastin, ndërsa Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci nuk është përgjigjur edhe pas disa tentimeve për të marr një deklaratë nga ana e saj.
Në zyrën e saj janë arsyetuar se Nagavci për momentin gjendet në një konferencë shkencore. /Gazeta Shneta/