Një çift nga Kamenica i ishte gëzuar tej mase ardhjes në jetë të anëtarit më të ri në familjen e tyre. Megjithatë, jo gjithçka kishte shkuar mirë gjatë procesit të lindjes. Dior Sadiku i lindur më 18.02.2017, kishte një komplikim gjatë lindjes, ku pas trajtimit në Spitalet e Kosovës dhe mos dhënies rezultat, babai Selmani është detyruar ta dërgojë për shërim (operim në zemër) në Beograd.
Selmani me anë të një statusi në llogarinë e tij në Facebook, shprehet tejet i zhgënjyer me mjekësinë kosovare, transmeton Indeksonline.
“Sot më 08.03.2017 gjendem në Beograd, pasi mjekësia e pandërgjegjshme me neglizhencën dhe joseriozitetin e saj ma solli djalin e lindur shëndosh e mirë pranë vdekjes! Së pari neglizhenca e gjinekologes dhe pediatres në repartin e neonalogjisë dhe pastaj mjekimet amatoreske në QKUK më sollën në këtë gjendje”, ka shkruar ndër të tjera Selmani.
Për Indeksonline, ai ka treguar rastin më detajisht.
“Pas 4 dite fëmija ka filluar të qajë. Ditën e 6-të e kam dërguar te mjeku në Kamenicë më kanë thënë e kalon (por ishte i arsyeshëm me thënë nuk jam specialist i kësaj lëmie). Ditën e 9-të ia vërejta një të ajur në këmbë, prapë e dërgova në Kamenicë ishte pediatri aty më udhëzoi të nesërmen ta dërgojë tek ortopedi, ku të nesërmen e dërgova në Ortopedi në Gjilan. Aty më thanë se është dita e martë dhe nuk merren me këto raste, ua shpjegoja se fëmija ka 10 ditë, por që nuk po u interesonte fare”, shprehet ai.
Edhe pse sipas Selmanit rasti në fjalë është neglizhuar ai si prind është ndjerë i shqetësuar dhe ka vazhduar edhe më tej të kërkojë ndihmë.
“Pastaj e dërgova në pediatri dhe aty me thanë ta dërgojë në Neonatologji, aty ishte një mjek-pediatër e mori rastin seriozisht dhe e shtriu në spital. Ortopedi i mori me shpric në gju materialin për analiza dhe më tha se duhet operuar, por pediatri të nesërmen pas keqësimit të situatës e dërgoi me ambulancë në Prishtinë. Më pas aty e mori rastin në dorë një doktoreshë e cila e dërgoi te kardiologu dhe te ortopedi, ku ky i fundit ia imobilizoi këmbën me gips (që doli të jetë fatal), dhe prej asaj ditë gjendja iu keqësua vazhdimisht. Të dielën fëmija nuk pinte dhe filloi të vjellë, kurse në mesnatë u vendos në induktor”, ka treguar ai.