Prishtina edhe sot është në krye të listës së rasteve të reja pozitive me 324 nga 637 të infektuar në total në 24 orët e fundit.
Gjatë ditës së sotme ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka mbajtur një takim virtual me kryetarët e komunave, të cilët i ka paralajmëruar për masat e reja të cilat pritet t’i mbyllin për 1 javë komunat që janë në zonën e kuqe, shkruan Gazeta Shneta.
Në zonë të kuqe është aktualisht kryeqyteti me mbi 400 raste në javën e fundit. Por këtë e ka kundërshtuar kryetari i komunës Shpend Ahmeti. Ai ka thënë se në Prishtinë po bëhen më shumë teste sesa në komunat tjera, si dhe numri i banorëve të llogaritur është i padrejtë.
Për mbylljen e Prishtinës dhe komunave tjera ende nuk ka një vendim definitiv nga Qeveria e Kosovës.
Në Kosovë deri më tani numri total i rasteve pozitive është 24.792 raste nga 108.482 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 768 raste të vdekjes. /Gazeta Shneta/