Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka disa vite që ka dhënë me koncesion shërbimin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjike në spitalet publike. Por kjo ka bërë që MSH t’i detyrojë mjekët të ulin numrin e operacioneve pasi buxheti kishte tejkaluar parashikimet. Një gjë e tillë mund të ndodh edhe në Kosovë pasi QKUK po synon ta privatizojë sterilizimin dhe dializën
Kështu kanë raportuar mediat në Shqipëri në muajin shtator të këtij viti kur mjeku Artan Koni denoncoi një urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, për të ulur numrin e intervenimeve kirurgjike pasi buxheti për sterilizmi kishte tejkaluar parashikimet, shkruan Gazeta Shneta.
“Nëse marrim vetëm vitin 2018 bazuar në të dhënat e fondit të sigurimit janë kryer në rang kombëtar 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale. Shteti shqiptar i ka paguar kompanisë private 2.87 mld lekë ose rreth 17 mln euro. Pra shteti shqiptar ka paguar mesatarisht 190 euro për sterilizimin e një seti të vetëm kirurgjikal. Kjo pagesë prej 17 mln eurosh kaloi në 3.6 mln euro parashikimin e ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2018. E thënë ndryshe ministria e Shëndetësisë nuk i kërkon kompanisë private të rishikojë tarifat apo ta anulojë këtë koncesion, por i kërkon mjekëve t’i dërgojnë në shtëpi disa pacientë që kanë nevojë për operacion”, pati deklaruar Koni për mediat.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu kishte mohuar të ketë firmosur një urdhër të tillë, por kishte thënë se ka racionalizim, duke mos shprehur një qëndrim të qartë.
Një gjë e tillë mund të ndodh edhe në Kosovë pasi Shërbimi Spitalor Klinik Universitar po synon ta jap me koncesion shërbimin e sterilizimit dhe dializës. Kjo pritet të ndodh pas realizimit të studimit të fizibilitetit, për çka QKUK ka kontraktuar një konzorcium të tri kompanive në vlerë prej 100 mijë eurosh.
Konzorciumi i kompanive përbëhet nga ‘Deloitte Kosova’, ‘Deloitte Albania’ dhe ‘Health Protection International’. Kjo e fundit është në pronësinë e Klodian Rrjepaj, ish-zv.ministër i shëndetësisë në Shqipëri, i cili ka qenë i dyshuar i Prokurorisë shqiptare për keqpërdorimin e pozitës gjatë dhënies me koncesion të sterilizimit dhe dializës në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës.
Ndërsa zyrtari i QKUK-së Dardan Parduzi, shef i Kontraktimit të Shërbimeve Shëndetësore, ka punuar si analist financiar në kompaninë ‘Deloitte Kosova’. /Gazeta Shneta/