Prof. Lul Raka: Varianti britanik në Kosovë duhet të jetë alarm për të gjithë

2021-04-07 në ora 09:29

Mikrobiologu Lul Raka ngre alarmin për variantin britanik të Covid-19, pasi sipas tij, ka shpejtësi më të madhe të përhapjes.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka bërë të ditur se ka rritje të rasteve të infektimeve te variantin britanik. Sipas tij mbi 97 për qind e mostrave të testuara për këtë variant kanë rezultuar pozitive.

Mikrobiologu Lul Raka thotë se variantet e reja të Covid-19 duhet të jenë alarm për të gjithë, pasi kanë shpejtësi më të madhe të përhapjes.

“Nëse shpejtësinë e përhapjes e ka deri në 70 për qind më të lartë atëherë kjo do të thotë se një numër shumë i madh i njerëzve mund të infektohen në një periudhë kohore shumë më të shpejtë dhe kjo automatikisht do ta rriste numrin e hospitalizimeve, do ta rriste edhe numrin e vdekjeve. Prandaj këto variante duhet të jenë alarm për të gjithë”, tha Raka për RTV21.

Por cili është efekti i vaksinës tek variantet e reja të koronavirusit. “Vaksina është element shumë i rëndësishëm edhe në uljen e varianteve të reja sepse ndryshimi është normal te të gjithë virusët sidomos te virusët ku bën pjesë Covid-19”, shpjegoi ai.