Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka nisur hetimet për vdekjen e studentit 26-vjeçar nga Gjilani, i cili ra nga kati i pestë nga ndërtesa e konviktit ku ishte duke qëndruar në karantinë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të vdekjes së 26 vjeçarit në Qendrën e Studentëve në Prishtinë”, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Shneta.
Babai i të ndjerit ka akuzuar krerët e shtetit, kryeministrit Albin Kurti, ministrat Xhelal Sveçla e Arben Vitia për vdekjen e të birit. Ai ka thënë se djali i tij ishte kthyer nga Gjermania pasi ishte mërzitur shumë dhe policia nuk e kishte lejuar ta takonte pas ardhjes në Kosovë.
Ministri Vitia ka deklaruar sot në një konferencë për media se do të kërkojë llogari nga gjithë zingjiri institucional nga nisja në Gjermani e deri tek vendosja e të ndjerit në karantinë. Ai ka deklaruar se i ndjeri nuk kishte paraqitur ndonjë dokument se vuante nga ndonjë sëmundje. /Gazeta Shneta/