Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, përveç protestave për ngritje të pagave, i është angazhuar të protestojë edhe ndaj një institucioni tjetër.
Syla sot është parë duke protestuar ashpër ndaj zyrtarëve të KEDS-it të cilët e kishin lënë të pres atë dhe disa qytetarë të tjerë për ta kryer pagesën e rrymës, raporton Gazeta Shneta.
Syla është grindur ashpër me një zyrtare të KEDS-it dhe sigurimin e zyrës në sheshin “Nënë Tereza”.
Përveç konsumatorëve të tjerë, aty ka qenë edhe një police e Kosovës e cila e ka lajmëruar rastin në stacion.
Policja është larguar ndërkohë nga vendi i ngjarjes dhe 2 kolegë të saj kanë ardhur më vonë për të intervenuar.
Dy policë kanë ndërhyrë në rast duke kërkuar mirëkuptim nga Syla ndaj punëtorëve të KEDS-it dhe duke e sugjeruar që të bëjë ankesë në qendër të kësaj kompanie.
Ndërkohë zyrtarja e KEDS-it iu ka treguar policëve se Syla ka qenë i ashpër me të dhe ka goditur derën e zyrës.
“Më arrestoni, më qoni në stacion, hapeni rastin për mua s’ka problem fare sepse unë nuk do ta lë me kaq këtë punë”, iu ka thënë Syla policëve.
Ai është ankuar se si doktor që është, i ka lënë pacientët të presin për faj të KEDS-it.
Policët i kanë thënë Sylës se nuk kanë nevojë ta arrestojnë për këtë rast, porse kanë kërkuar nga ai mirëkuptim dhe t’i ndjekë procedurat ligjore.
Situata më vonë është qetësuar dhe Syla është larguar nga aty. /Gazeta Shneta/
Kryesindikalisti i shëndetësisë Blerim Syla proteston ashpër ndaj KEDS-it (Video)