Specializantët vullnetarë të gjeneratës 2016-2017 kanë mbajtur sot një protestë para Ministrisë së Shëndetësisë.
Specializantët po kërkojnë nga ministri Uran Ismaili dhe shefi i partisë së tij, përkatësisht kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, që ta mbajnë premtimin për t’i përfshirë në paga.
“Ismaili dhe Veseli na kanë premtuar se nga janari i këtij viti nuk do të mbetet asnjë specializant pa rrogë, por deri më tani ky premtim nuk është realizuar”, ka deklaruar njëri nga organizatorët, Dr. Hekuran Dibrani.
Ai ka thënë se nuk do ta lënë me kaq dhe kërkesat e tyre do t’i çojnë deri në fund.
“Ne punojmë në dy vende me mbi 80 orë në javë. Kështu nuk kemi mundësi as të shkollohemi dhe as ta mbajmë familjen”, ka shtuar ai.
Specializantët e kësaj gjenerate punojnë në mjekësinë familjare, ndërsa specializimin janë duke e kryer në klinikat e QKUK-së.
Ata po kërkojnë që të paguhen gjatë specializimit dhe të mos detyrohen të punojnë në mjekësinë familjare.
Ministri Uran Ismaili gjatë ditës së sotme është gjendur në Kroaci, ndërsa njëri nga këshilltarët i ka ftuar protestuesit që të diskutojnë me njërin nga zëvendësministrat.
Organizatorët kanë deklaruar se nuk duan të takohen derisa nuk marrin një vendim për t’i përfshirë në listat e rrogave. /Gazeta Shneta/
Deklarata e plotë e specializantëve:
Sot specializantët volunter te vitit akademik 2016/2017 jemi mbledhur këtu për të kërkuar:
Kthimin në specializant të rregullt me pagesë!
Premtimet që na janë dhënë nga kryetari I kuvendit Zotëri Kadri Veseli dhe Ministri i Shëndetësisë Zotëri Uran Ismaili se që nga janari 2018 nuk do të ketë asnjë specializant pa pagesë, por që kjo ende nuk është realizuar. neve na detyroj që të dalim në protestë.
Kërkesat tona janë të bazuara, të sinqerta dhe shumë modeste, sepse specializimi jonë është nevoj imediate për shoqërinë.
Ne jemi të vendosur që nuk do të ndalemi deri në realizimin e kërkesës tonë sepse është e pa mundur të jemi të suksesshëm në specializim si dhe në punë, duke punuar me orar të stërngarkuar me mbi 80 orë punë në javë e neve nuk po na mbete kohë për të studiuar.