Proteza falas për Invalidët dhe Viktimat Civile të Luftës

2017-02-28 në ora 14:44

Zëvendësministri i Shëndetësisë Rrustem Musa vizitoi sot Qendrën e Ortoprotetikës në QKUK, ku u njoftua për së afërmi me procesin e riparimit dhe vendosjes së protezave për kategoritë e Invalidëve dhe Viktimave Civile të Luftës.

Zëvendësministri Musa i njoftoi profesionistët e kësaj Qendre, se MSH ka formuar Komisionin e Vlerësimit për furnizim me proteza për këto kategori, komision ky që do të bëjë vlerësimin se cilët kanë nevojë për riparim të protezave dhe kush për proteza të reja, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë do të përkrah Qendrën me furnizim të protezave dhe riparimin e protezave të dëmtuara sipas mundësive buxhetore, duke u bazuar në kërkesat e vet Qendrës së Ortoprotetikës në bashkëpunim, dhe bazuar në nevojat e kategorive të Invalidëve dhe Viktimave Civile të Luftës, si dhe do të mundësojë riparimin e protezave të dëmtuara.

“Kjo vizitë është bërë me qëllim të njohjes për së afërmi me nevojat e kësaj Qendre dhe, po ashtu, përcjelljen e mesazhit te këto kategori se MSh do t’i përkrah me qëllim të realizimit të shërbimeve për kujdes shëndetësor e social”. /Gazeta Shneta/