Komuna e Prishtinës është akuzuar gjatë ditës së djeshme për punësimin e militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Një kandidat është ankuar se dy konkurrentët e pranuar për pozitën “Doktor i Stomatologjisë”, janë ndihmuar gjatë testit me shkrim nga komisioni.
“Kur kemi hy o dasht me i ndal telefonat krejt po si duket kjo nuk ka vlejt për krejt, ka pas persona që i kanë mbajtë telefonat edhe gjatë testit. E kanë pa edhe komisioni jo vetëm unë. Na s’kemi folë se komisioni ka qenë përgjegjës për këtë punë”, ka deklaruar L.K për parregullsitë gjatë testimit për Gazeta Express.
Dy kandidatët e pranuar në pozitën e mjekut stomatolog, janë Korab Pallaska dhe Arbër Vokrri.
Që të dy sipas postimeve në facebook, shihet se janë militantët të Vetëvendosjes. Madje Vokrri është edhe kandidat për asamblist në Komunën e Prishtinës.
Për Vokrrin, profesorët e tij kanë mendime të ndryshme. Hatixhe Latifi-Pupovci thotë se të dy, Vokrri dhe Pallaska kanë qenë ndër studentët më të mirë të saj dhe QMF-të kanë fatin të kenë mjekë si ata.
Por ndryshe shprehet profesori i ORL-së Adem Limani. “Arbër Vokrri dhe studenti i mirë nuk kanë asgjë të përbashkët, unë e njohë ate si person problematik dhe student të dështuar”, ka komentuar ai në statusin e Pupovcit.
Kjo e fundit e ka kundërshtuar duke i thënë se kanë koncepte të ndryshme të vlerësimit të studentëve.
Limani i përgjigjet se vlerësimi i tij është i bazuar në vlerat e studentit dhe jo në bazë të përkatësive partiake.
Në këtë debat është përfshirë edhe i apostrofuari Arbër Vokrri. Ai e quan profesorin Limani, kriminel.
“Une ne anen tjeter jam pengu dy vjet me diplomu nga ky krimineli Adem Limani, i cili eshte i vetmi profesor ne histori te Universitetit te Prishtines qe ka arrijte me i ngrite ne kambe 1000 studente me e perzane fizikisht nga zyra. Ne mesin e tyne kam qene une, dhe ky nuk harron. E ngjashem sikur ty, edhe femijeve te tij fakulteti iu ka kry ne afat rekord edhe duke mos i pa neper provime. Ti nuk po tregon qe pikerisht ky Ademi me ka perzane nga provimi nje afat para se ta kryej ORL-n tek prof. Qazimi me noten 7. U pata lodhe prej kesaj lande dhe m’u pat neverite”, ka shkruar Vokrri ndër të tjera.
Akuzat e tij i ka mohuar profesor Limani në një koment më poshtë duke dhënë edhe versionin e tij për këto ngjarje.
“Se Arbër Vokrri nuk ka të bëjë me kurfarë studenti të mirë, por me student të dështuar dhe pa personalitet njerëzor flet edhe reagimi i tij, ai gënjen, fyen edhe ata që kanë tentuar ta ndihmojnë edhe ate edhe fakultetin, për ate është kriminel profesori që ate e ka ndihmuar, jashtë konkurrencës për ta dërguar në Fakultetin e Dourthmund-it në SHBA, profesori i cili kur e ka parë se me çfarë personi ka të bëjë jo që e ka penguar në kryerjen e fakultetit, por përkundrazi e ka lutur kolegun e tij, pra profesorin tjetër, që ta marrë në provim, edhe pse ai ishte në listë për t’u pyetur te profesori siç ai e quan ‘kriminel’”.
“Ngritjen e 1000 studentëve kundër profesorit “kriminel” vetëm e vetëm për ta penguar reformën në Fakultetin e Mjekësisë, reformë që në atë kohë e kërkonin edhe vet studentët, thënie kjo e mjaftueshme për të vlerësuar veprimet e tija destruktive kundër fakultetit të Mjekësisë, por edhe kundër vetvetes.”
“Gënjen kur thotë se unë e kam përzën nga provimi, por është e vërtetë se e kam ndihmuar të mos i nënshtrohet provimit, siç ai quan te “profesor kriminel”. Me veprimet e tija ai nuk meriton lavdata, reagimi im nuk kishte të bënte me të drejtën e punësimit, por me vlerësimin se kinse ai paska qenë si student i mirë”, ka shkruar Limani.
Më poshtë i gjeni edhe akuzat e kundërakuzat e studentit dhe profesorit rreth angazhimit në shkëmbimin e studentëve me Dartmouth Medical School në SHBA. /Gazeta Shneta/