Punëtorja e Spitalit të Mitrovicës merr pagë pa kontratë që një vit

2018-10-10 në ora 11:18

Ferdane Myftari zyrtare për sigurinë e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Spitalin e Mitrovicës, paguhet pa kontratë prej më shumë se një vit. Ajo po ankohet se përveç që nuk ka kontratë, asaj i është degraduar pozita e punës nga menaxhmenti i spitalit

Një punëtore e sektorit të shëndetësisë ka një hall të veçantë. Jo se nuk paguhet për punën që bënë në sektorin publik, por që u degradua dhe tash e më shumë se një vit drejtuesit e spitalit vazhdojnë të mos i bëjnë kontratë valide të punës. Për këtë rast madje instanca të ndryshme shtetërore janë vënë në pozicione të kundërta. Ka raste kur e drejta iu dha punëtores e në raste tjera drejtuesve të spitalit.

Në këtë situatë për më shumë se një vit është Ferdane Myftari, e cila vazhdon të rropatet institucioneve të ndryshme duke kërkuar drejtësi, lidhur me pozitën e vendit të saj të punës në Spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

Përplasjet e Myftarit me ushtruesin e detyrës së drejtorit të spitalit, Hamëz Berisha rreth pozitës së vendit të punës, kanë bërë që ajo të mbetet pa kontratë, ani pse vazhdon ta marr pagën e plotë nga shteti.

“Po jam pa kontratë të marrëdhënies së punës. Shkoj në punë dhe marr pagën. Jam zyrtare për sigurinë e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, mirëpo nga data 31 gusht 2017 jam pa kontratë”, ka treguar për FaktePlus punëtorja Ferdane Myftari.

Rrëfimi i Myftarit, asistentja shkaktare e problemit

Ferdane Myftari tregon se pozitën si zyrtare për sigurinë e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë e ka ushtruar që nga viti 2014 e deri në vitin 2016 me kontratë me kohë të caktuar. Kjo lloj kontrate i ishte vazhduar asaj përsëri deri në vitin 2017.

“Me datën 08.09.2017, u.d. i drejtorit Hamëz Berisha më ka ftuar dhe më njoftoi se pas mbledhjes së bordit te spitalit është vendos të më vazhdohet kontratën me kohë të pacaktuar dhe e nënshkruam kontratën”, tha ajo.

Por, pas nënshkrimit të kontratës së rregullt me kohë të pacaktuar, zhvillimet kanë marrë kahje tjetër. Ka qenë veprimi i asistentes së drejtorit, cili më vonë sipas Myftarit ka ndikuar të degradohet në punë, pasi nuk iu vazhdua kontrata që e kishte dhe iu ndërrua edhe titulli i vendit të punës.

“Asistentja e drejtorit, znj. Lirije Bajraktari që mbante edhe postin e shefes së zyrës ligjore, kërkonte që djalit të saj, Arbnor Bajraktarit, i cili është menaxher i TI në spitalin tonë, unë t’i lajmërohem se kur kam takime zyrtare, Mirëpo, unë nuk lejova pasi që e hiearkia nuk e lejon meqë unë i raportoj  kordinatorit të cilësisë, e në mungesë të kordinatorit i raportoj drejtorit ekzekutiv. Kështu që znj. Lirije më kërcënoi dhe pastaj e kishte shqyer kontratën time të punës ende pa u protokolluar”, tregon ajo për FaktePlus.

Ajo shton se më vonë nuk ka pranuar të nënshkruaj kontratë tjetër me të cilën degradohej në punë, pasi nga zyrtare për sigurinë e cilësisë së shërbimeve shëndetësore i kërkohej të kalonte si mësimdhënëse në Qendrën e edukimit të vazhdueshëm profesionale në Spitalin e Mitrovicës.

Arsyetimi i drejtorit për ndërrimin e pozitës

Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka bërë përpjekje të marrë sqarime zyrtare për gjithë këtë histori, por  u.d i drejtorit në Spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Hamëz Berisha nuk ka dashur të përgjigjet. Si do qoftë, bazuar në shkresat që posedon FaktePlus, Berisha arsyetohet se vendimin për rastin  e znj. Myftari e ka marr duke u bazuar në organogramin e spitalit.

“Ferdane Myftarit i lëshohet vendim me kohë të caktuar si Mësimdhënëse në Qendrën e Edukimit të Vazhdueshëm Profesional pranë Spitalit të Përgjithshëm -Mitrovicë me 3. 10. 2017. Arsyetim: Ferdane Myftari i ka skaduar kontrata me kohë të caktuar si zyrtare për Cilësi …, duke marrë për bazë se ky vend i punës nuk është paraparë në organogramin e Spitalit të Përgjithshëm, Këshilli Drejtues mori këtë vendim”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga Berisha.

Por, në ankesën e saj drejtuar udhëheqjes së spitalit, Myftari këmbëngul se ky vendim ishte arbitrar, kundër Ligjit të punës dhe statutit të spitalit. “…Prej që e ushtroj këtë detyrë asnjëherë nuk është zhvilluar ndonjë procedurë disiplinore ndaj meje. Statuti i spitalit 26.04. 2016 e përcakton qartë se në organogramin e spitalit është caktuar edhe zyra për cilësi”, thuhet në ankesën e saj.

Auditori në favor, Inspektorati kundër

FaktePlus posedon edhe Raportin e Auditimit të vitit 2017 që ka të bëjë me personelin e spitalit. Ky institucion i ka rekomanduar ekzekutivit me shkresë zyrtare që Myftarit t’i vazhdohet kontrata e punës me kohë të pacaktuar, pasi i ka plotësuar kushtet të jetë me kontratë afatgjatë si zyrtare e SCSHSH.

“Në Spitalin e Mitrovicës ka zyrtarë në pozita udhëheqëse pa përgatitje të lartë profesionale, siç është zyrtari kryesor financiar dhe zyrtari i pasurisë. Ndërsa, zyrtarja për cilësi të shërbimeve shëndetësore e ka kontratën e punës me kohë të pacaktuar të realizuar në bazë të Ligjit të Punës dhe është kthyer në kontratë pune me kohë të caktuar një vjeçare, e cila përsëritet tri vite më radhë. Kjo është në kundërshtim me Ligjin e Punës nr. 03/L -2012”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Por, kundrejt redomandimit favorizues të auditorit për punëtoren, vendim krejt të kundër ka marrë Inspektorati i Punës, pasi ky institucion i ka dhënë të drejtë për vendimin e marrë u.d së drejtorit Hamëz Berisha. Myftari pretendon se refuzimi i ankesës së saj ka ardhur për shkak të afrisë që kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi ka krijuar me drejtorin.

“Sa i përket kryeinspektorit të punës z. Basri Ibrahimi dihet shumë mirë se si i keni arritur raportet miqësore. Vet motra e tij, e cila punon në laboratorin e spitalit të Mitrovicës, me datë 20.02.2017 pa e ditur se po vinte puna deri këtu dhe pa e pyetur fare ajo u shprehe me krenari se si e ka sjell disa herë vëllanë e saj në zyrën e tuaj”, thuhet në njërën prej shkresave të Myftarit drejtuar drejtorit të Spitalit. Për të gjitha këto pretendime, FaktePlus ka kërkuar sqarim edhe nga kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi, por ai nuk është përgjigjur. Nga shkresat që i posedon FaktePlus, shihet që Myftari të jetë ankuar personalisht edhe tek ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, kur ky i fundit me datë 11 shator 2017 kishte vizituar Spitalin e Mitrovicës.