Femrat të cilat kanë cerviks të shkurtër dhe janë të prira të bëjnë lindje të parakohshme të bebeve të tyre, nuk do të shtyjnë lindjen nëse qëndrojnë shtrirë.
Sipas një studimi të ri, femrat ishin dyfish më të prira të lindin para javës së 37-të, kur mjekët i kishin kufizuar ato në aktivitetet e punës, seksuale apo aktivitete tjera fizike.
Studimi ka analizuar 646 gra, të cilat janë pyetur çdo javë nëse mjekët i kanë vendosur nën ndonjë regjim të kufizimit të aktivitetit. Nga to, 39 për qind ishin vendosur në regjim shtrati ose u ishin caktuar aktivitete të lehta gjatë shtatzënisë, për mesatarisht 24 javë.
Pasi kanë përcjellë gratë gjatë shtatzënisë, autorët kanë vërejtur se 37 për qind e tyre që kishin kufizime të aktivitetit fizik kishin lindur më herët, krahasuar me 17 për qind nga grupi i grave që ishin lejuar të qëndrojnë aktive dhe të stërviten.
Edhe pse këto të arritura nuk mbështesin supozimin se gratë me cerviks të shkurtër duhet të qëndrojnë shtrirë, është e paqartë se pse ka ndodhur e kundërta: që kufizimi i aktivitetit të shtojë gjasat për lindje të parakohshme. /Mjeku.Net/