Qeveria e Japonisë do të financojë blerjen e shtretërve për spitalet e Kosovës në vlerë 1.3 milionë euro.
Kështu ka njoftuar sot Ministria e Shëndetësisë, pas nënshkrimit të memorandumit me Agjencinë Ndërkombëtare Japoneze për Bashkëpunim, transmeton Gazeta Shneta.
Më poshtë gjeni njoftimin e plotë:
Në Ministrinë e Shëndetësisë është nënshkruar sot Memorandumi i mirëkuptimit për projektin e zhvillimit të kapaciteteve në institucionet spitalore të Republikës së Kosovës që do të financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Japoneze për Bashkëpunim (JICA).
Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës do të jetë përfituese e grantit të JICA në vlerë prej 1.3 milion euro për të siguruar shtretër spitalor për spitalet e përgjithshme dhe klinikat e QKUK-së.
Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë, marrëveshja është nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqi dhe nga JICA, Udhëheqësi i Zyrës për Ballkan, z. Jiro Takeichi.
Sekretari Bardiqi shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Japonisë për sektorin shëndetësor dhe se pajisjet që sigurohen përmes grantit do të ngrisin cilësinë e shërbimeve spitalore dhe lehtësojnë punën e personelit shëndetësor.