Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka anuluar konkurset e shpallura dhe ato që kanë qenë në proces, përfshirë edhe konkursin për psikolog klinik.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Shneta, drejtori i SHSKUK-së Dr. Basri Sejdiu. “Të gjitha konkurset që janë shpallur këto ditë dhe ato që kanë qenë në proces janë anuluar për shkak të hyrjes në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publik”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai nuk ka treguar se sa konkurse janë anuluar pas këtij vendimi dhe për çfarë pozita.
Gjithsesi këtij lajmi do t’i gëzohen specialistët e psikologjisë klinike të cilët kanë protestuar disa herë duke kërkuar anulimin e konkursit për dy pozita të lira për psikolog klinik.
Kërkesa e tyre kishte të bënte me faktin se konkursi nuk parashihte kriterin e specializimit. Specialistët e kësaj lëmie dyshonin se konkursi ishte përcaktuar për dy persona, që sipas tyre ishin me ndikim nga kandidatët për deputetë të partive politike. /Gazeta Shneta/