Qendra Klinike Universitare e Kosovës i ka paguar mbi 155 mijë euro kompanisë së sigurimit, jashtë kontratës bazë e cila ishte realizuar në nëntor të vitit 2019.
Në nëntor të vitit 2019 QKUK kishte nënshkruar kontratë me kompaninë “Security Code” për tre muaj me mundësi vazhdimi deri në realizimin e procedurës së prokurimit. Kontrata ishte në vlerë 93 mijë e 633 euro në muaj dhe ky ishte çmimi i vetëm që QKUK i detyrohej kompanisë, shkruan Gazeta Shneta.
Por ky nen i kontratës ishte ndryshuar një muaj më vonë dhe çmimi që QKUK do të duhej t’i paguante kësaj kompanie, varej nga orët e punës së punëtorëve të sigurimit. Ky ndryshim ishte bërë me kërkesë të menaxherit të kontratës, ndërsa kërkesat për orë shtesë ishin siguruar nga drejtorët e klinikave.
Kjo është një nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditorit në raportin e auditimit për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar për vitin 2020.
“Me datë 19.12.2019 ishte bërë ndryshim plotësimi i kontratës bazë ku me kërkesë të menaxherit të kontratës ishte shfuqizuar çmimi total me TVSH, ku do të mbizotërojë çmimi për njësi (orë pune me TVSH), të gjitha kushtet tjera mbesin të njëjta si në kontratën bazë. Ky ndryshim kishte shkaktuar pagesa të shërbimeve të realizuara për orë pune shtesë sipas kërkesës nga drejtorët e disa Klinikave të QKUK – së. Totali i pagesave jashtë kontratës bazë gjatë vitit 2020 ishte 155,568€”, thuhet në raport.
Kjo kontratë ka zgjatur deri në shkurt të këtij viti kur QKUK ka arritur të përfundojë procedurën e hapur të prokurimit.
Auditori ka konstatuar se kjo situatë është pasojë e mungesës së kontrollit dhe menaxhim i dobët i kontratës, andaj ka kërkuar nga Bordi Drejtues dhe drejtori i përgjithshëm që të sigurohen procedura adekuate të prokurimit. /Gazeta Shneta/