Qendra Klinike Universitare e Kosovës i ka pranuar në punë 10 punëtorë në pozitën e bartësve. Për këtë konkurs janë ankuar disa punonjës të sigurimit të cilët ishin të angazhuar në Emergjencë në cilësinë e bartësve.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka pranuar në punë 10 punëtorë të rinj në pozitën e bartësve për klinika, shkruan Gazeta Shneta.
Halil Gashi, Ymer Gashi, Naim Ballovci, Sabit Berisha, Bekim Babatinca, Florim Gashi, Basri Ejupi, Ramadan Shkodra, Ardian Mustafa dhe Rrahman Maholli, janë dhjetë bartësit të cilët janë pranuar në punë përmes konkursit në QKUK.
E për këtë konkurs janë ankuar disa nga punonjësit e sigurimit. Tetë prej tyre kanë qenë të angazhuar në cilësinë e bartësve përmes një marrëveshje në mes të menaxhmentit dhe kompanisë.
Në vitin 2018 kompani e sigurimit dhe menaxhmenti i QKUK-së kishin rënë dakord që tetë roje të angazhoheshin në cilësinë e bartësve në Klinikën Emergjente. Ish-drejtori i Emergjencës Basri Lenjani, kishte kërkuar nga menaxhmenti i SHSKUK-së në nëntor të vitit të kaluar që bartësit të jenë punëtorë të rregullt të klinikës.
Ndonëse këta tetë punonjës të kompanisë së sigurimit kanë kandiduar në konkurs, asnjëri prej tyre nuk është punësuar në 10 pozitat e shpallura nga QKUK.
Njëri prej tyre duke dashur të mbetet anonim, ka thënë për Gazetën se ata kanë qenë të trajnuar nga klinika për ta kryer këtë punë, por ky fakt nuk është marr parasyshë në konkurs.
QKUK në vazhdimësi ka pasur mungesë të bartësve për klinika, dhe sidomos gjatë kohës së pandemisë kur nevoja për punonjës të tillë ka qenë mjaft e madhe për shkak të fluksit të madh të pacientëve. /Gazeta Shneta/