QKUK ia ka dhënë tenderin për atestimin e bombolave të gazit medicinal, një kompani që është e licencuar për bombola të gazit teknik. Në mesin te gazrave teknik është edhe gazi ose ‘plini’ që përdoret për zierje në kuzhinë
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka realizuar një procedurë të negociuar për atestimin, ngjyrosjen e bombolave të oksigjenit medicinal dhe montimin e valvulave në të njëjtat. Kontrata është negociuar me dy kompani, pronarët e të cilave mbajnë mbiemrin e njëjtë dhe vijnë nga e njëjta komunë, shkruan Gazeta Shneta.
Tenderi i është dhënë kompanisë “Shala GT SHPK” me pronar Hamdi Shala nga Suhareka me çmim 12 mijë e 879.50 euro. Ndërkaq kontrata është negociuar edhe me kompaninë “NTSH Shala Gas” pronar i së cilës është H. Shala dhe është nga Suhareka. Oferta e kësaj kompanie ka qenë rreth një mijë euro më e shtrenjtë sesa e të parës.
Në dosjen e tenderit me titull “Atestimi ngjyrosja e bobolave të oksigjenit medicional si dhe furnizimi dhe montimi i valvuleve në të njëjtat” në pjesën e kërkesave mbi mundësitë teknike ose profesionale, pika 9.2, kërkohet që operatori “duhet të jetë i licencuar apo autorizuar nga Ministria përkatëse për atestimin e bombolave për gazra medicinal nënpresion”.
Ndonëse është kërkuar një kriter i tillë nuk është respektuar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Kjo për faktin se kompania ‘Shala GT’ nuk posedon licencë për atestimin e bombolave të gazit medicinal, por të gazit teknik. Gazeta këtë e ka vërtetuar edhe përmes qasjes në dokumentet publike të këtij tenderi në QKUK. Kompania mban një certifikatë me të cilën është e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik për ekzaminimin dhe mbushjen e bombolave me Gazra Medicinale.
Kompania në përshkrimin e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve mban disa kode, përfshirë tregtinë me karburante për automjete, transport rrugor të mallrave, tregtinë me automjeteve dhe pjesëve të tyre, etj. por në asnjë rast nuk përmendet gazi medicinal apo veprimtari tjetër që lidhet me mjekësinë.
Pronari i kompanisë Hamdi Shala ka deklaruar për Gazetën se atestimi i bombolave të gazit është kryer me sukses dhe disa bombola të cilat nuk kanë qenë të riparueshme janë prerë dhe janë dorëzuar në QKUK për të mos u përdorur më. “I kemi bërë atestimin dhe gjithçka ka qenë në rregull. Ato bombola të pariparueshme janë prerë dhe janë dërguar në QKUK. Valvulat janë jokthyese dhe me filtër të oksigjenit që mundëson mos me hy asgjë brenda”, ka deklaruar Shala.
Në anën tjetër nga QKUK thonë se atestimi është proces teknik dhe nuk kemi të bëjmë me mbushjen e gazrave medicinale. “Zyra e prokurimit ju njofton se kjo eshtë përgjigjja nga departamenti i sherbimeve teknike –ekspertë te kësaj lamie se këtu kemi të bëjmë me Atestim dhe ekzaminim si proces teknik, nuk kemi te bëjmë me mbushje të gazrave teknike apo medicionale”.
“Procesi teknik I cili përfshin: shqyrtimin e bombolave në presion 1.5 herë më shumë se presioni punues, shqyrtimi hidraulik, pastrimin e mbrendshëm, dukjen e jashtme si dhe shqyrtimin e peshës së bombolës, respektivisht humbjen në peshë te bombolës e cila është faktori kryesor për determinimin e funksionalitetit të saj”.
“Kurse sa i përket anës medicionale është valvula dhe mbushja me gaze e cila e përcaktojnë destinimin e bombolës, nëse është valvula dhe gazi medicional atëherë ajo mund të përdoret për qëllime medicionale. Ktu bëhet fjalë trajtimi teknik i bombolave e jo mbushja me gaz të tyre”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurimit të QKUK-së.
Zyra e QKUK-së ia ka dhënë kontratën kësaj kompania duke u bazuar edhe në një referencë të një spitali privat me pronar turk ku thuhet se ‘Shala GT’ ua ka bërë testimin e bombolave si dhe i ka furnizuar rregullisht dhe pa probleme me gaz medicinal.
Ndërkaq një person që merret me bombola të gazit por i cili nuk ka qenë pjesë e procesit të këtij tenderi, Hysni Hoxha, thotë se gazi medicinal dhe gazi teknik dallojnë dhe po ashtu dallon edhe procesi i atestimit të bombolave të tyre. “Gaz teknik është edhe plini që e përdorim në shtëpi. Dallon edhe procesi i atestimit të bombolave. Nuk është njëjtë”, ka deklaruar Hoxha.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga disa ministri dhe institucione për këtë çështje. Nga Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencioni për Produkte dhe Pajisje Medicinale kanë heshtur për këtë çështje, ndërsa Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka deklaruar se nuk licencon kompani për gazra medicinale, kurse Ministria e Zhvillimit Ekonomik e cila lëshon licencat për gazra teknike nuk ka kthyer përgjigje në adresën elektronike.
QKUK ka realizuar këtë kontratë për t’ia mundësuar kompanisë “Medical Group” që të bëj furnizimin me gaz medicinal pasi ka fituar tenderin mbi 1.2 milion euro për 24 muaj. Përdorimi i këtyre bombolave ka filluar që disa javë. /Gazeta Shneta/