Duket se numri i madh i zëvendësministrave në Qeverinë Haradinaj, ka krijuar mundësinë që këta zyrtarë të gjejnë kohë për vizita edhe tek spitalet private jashtë Kosovës.
Një prej tyre, Ali Berisha, zëvendësministër i Shëndetësisë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka nderuar me një vizitë Spitalin Ndërkombëtar Turk në Tiranë, shkruan Gazeta Shneta.
Berisha ka vizituar këtë spital privat në kohën kur spitalet publike në Kosovë janë të zhytura në skandale, mungesë të barnave e materialeve, si dhe shërbimeve tjera.
Arsyeja e kësaj vizite të Berishës së bashku me stafin e tij, nuk dihet pasi MSH-ja nuk ka lëshuar asnjë njoftim në lidhje me të.
Por është spitali turk që ka bërë një njoftim nëpërmjet një postimi në Facebook.
“Ndihemi te nderuar nga vizita e zv. Ministrit te Shendetesise se Kosoves, z. Ali Berisha dhe stafit te tij ne ambientet e spitalit tone International Turkish Hospital”, thuhet në postim.
Ky spital privat pranon pacientë nga Shqipëria dhe Kosova dhe i dërgon në Turqi për shërim.
Spitalet turke në Kosovë dhe Shqipëri janë duke përfituar qindra miliona euro në vit nga pacientët të cilët nuk gjejnë shërim në vend.
Një pjesë të madhe të këtyre parave e paguan edhe vet Ministria e Shëndetësisë, e cila financon shërimin e pacientëve jashtë institucioneve publike. /Gazeta Shneta/