Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka bërë të ditur se për hulumtimin e vdekjes së tre personave në të njëjtën ditë, do të formohen komisione profesionale.
Në një njoftim të SHSKUK-së, thuhet se drejtori Dr. Curr Gjocaj, gjatë ditës së sotme ka mbajtur takim pune me drejtorët e klinikave kirurgjikale, anesteziologët, zyrtarë të barnatores qendrore dhe sektorit teknik.
“Në takim u diskutua në lidhje me punën në bllokun operativ kirurgjikal, me theks të veçantë në lidhje me rastet e fundit të raportuara nga klinikat përkatëse, si komplikime të mundshme të gjendjes shëndetësore të disa pacientëve pas operacionit, të ndodhura në ditët e fundit”, thuhet në njoftim, transmeton Gazeta Shneta.
Pas diskutimeve që u bënë sot, por edhe konsultimeve të ditëve të kaluara, u vendos që përmes komisioneve të formuar nga QKUK lidhur me këtë çështje, të bëhen hulumtimet e detajuara të bazuara në raporte profesionale përkatëse.
Pas kryerjes së punës së komisioneve profesionale lidhur me çështjen, QKUK do dalë me konstatimin përfundimtar.
Deri atëherë mbetet që komisionet përkatëse profesionale të kenë hapësirën e duhur për punën e tyre të pavarur.
Ndryshe tri vdekje u raportuan nga mediat të kenë ndodhur në ditën e enjte të javës së kaluar në klinikën e Neurologjisë, Urologjisë dhe Kirurgjisë. /Gazeta Shneta/