QKUK-ja në kolaps total, rrezikohet jeta e mijëra pacientëve

2018-06-05 në ora 17:21

Qendra Klinike Universitare e Kosovës po rrezikon të dal jashtë funksionit për shkak të mungesës së të gjitha barnave dhe materialeve elementare për trajtimin e pacientëve. Pacientët të cilët duhet të kryejnë intervenime urgjente, mund t’u rrezikohet jeta në mungesë të barnave të cilat nuk po furnizohen nga Ministria e Shëndetësisë

Gazeta ka raportuar gjatë ditës së sotme se si në Klinikën e Gjinekologjisë është ndërprerë programi i operacioneve në mungesë të barnave. Për shkak të mungesës së medikamentit Fentanyl, në Gjinekologji nuk janë duke u kryer operacionet përveç lindjeve dhe rasteve të rënda. Pacientet janë liruar për në shtëpi deri në furnizimin e klinikës me këtë medikament.

Mungesa e Fentanylit ka reduktuar punën edhe në klinikat tjera sikurse në ato të bllokut të kirurgjisë. Gazeta mëson se të gjitha sallat e operacionit në QKUK janë furnizuar me vetëm 200 njësi Fentanyl, të cilat mund të shpenzohen deri nesër. Dy deri në tri njësi të këtij bari nevojiten për një pacient gjatë operacionit për qetësimin e dhimbjeve.

Por ky nuk është i vetmi produkt medicinal që është duke munguar në QKUK. Një pacient që ia mësyn spitalit këto ditë për t’u operuar, duhet të përgatitet mirë për një listë të gjatë barnash e materialesh që duhet t’i blejë për t’u shëruar. Të gjitha këto barna janë nga Lista Esenciale.

Medikamentet dhe materialet shpenzuese kryesore që nevojiten për një operacion, e të cilat nuk gjenden në stokun e Barnatores Qendrore të SHSKUK-së janë: Fentanyl; Neostigmine; Rubivokain; Tramadol; Atracurium; Digoksin; Deksametezon; Amiodorone; Dobutanime; Ketorolac; Analgin; Paracetamol; Urbazon; Efedrine; Protamine; Tubusa; Doreza; josterile; Gjilpera; Shiringa.

Zyra e Drejtorit të SHSKUK-së nuk ka pranuar të komentojë mbi këtë listë barnash, por ka thënë se për shumicën prej tyre prite të lidhet kontratë nga FSSH. “Ka disa mungesa që pritet të furnizohemi ditëve në vijim meqë shumë kontrata janë lidhur dhe pritet të lidhen nga FSSH”, thuhet në një përgjigje të shkurt nga SHSKUK.

Të gjitha këto barna dhe materiale do të duhej të furnizoheshin nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo ministri është duke zvarritur nënshkrimin e kontratave të reja për furnizim, me arsyetimin se po synon mbrojtjen e buxhetit të shtetit nga çmimet e larta të kompanive farmaceutike. /Gazeta Shneta/