Elda Alshiqi, në prill të këtij viti i ka mbushur pesë muaj jetë. Por, pas kontrolleve të mjekëve të Klinikës së Neonatologjisë, Elda nga Prishtina u diagnostikua me disa probleme me zemër. Mungesa e Klinikës së Kardiokirurgjisë së fëmijëve e bëri të pa mundur që Elda të kontrollohej e operohej në Kosovë. Për këtë arsye, familja e saj u detyrua të kërkonte ndihmë financiare, e që më pas shërimi i saj u bë në Shqipëri.
Si rasti i kësaj vogëlushje janë edhe shumë fëmijë të tjerë në Kosovë, të pamundësuar për ta marrë trajtimin e duhur në vendin e tre.
Megjithatë, spitali kirurgjik pediatrik në QKUK, projekt ky që ka më shumë se tri vite që është inicuar e që është donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe, pritet ta rregullojë këtë problem.
Por për mungesën e këtij shërbimi pranë QKUK’së, për Express, ka folur edhe drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci. Ai ka deklaruar se ky shërbim është i domosdoshëm që të funksionalizohet në QKUK.
“Është më se e domosdoshme që të avancohet shërbimi i kardiokirurgjisë në kuadër të QKUK’së, për shkak se të gjitha foshnjat që lindin me probleme kardiologjike dhe kanë një nevojë për tretman duhet të trajtohen jashtë vendit”, thotë Gojnovci për Express.
“Ka raste të foshnjave që po lindin me probleme ne zemër. Për këto raste jepen menjëherë rekomandimet pas konsultave se të njëjtët kanë nevojë urgjente për trajtim jashtë Kosovës.”
Shkrimin e plotë mund ta gjeni në Gazetën Express.