Në një konferencë për media, UD i drejtorit të SHSKUK’së, Dr. Valbon Krasniqi, ka njoftuar për vendimet e tij të fundit.
Dr. Krasniqi para gazetarëve tregoi se 50 mjekë do t’iu shtohen klinikave që po merren me luftimin e pandemisë, teksa për shërbime cilësore profesionale ndaj pacientëve me COVID-19 tani do të angazhohen edhe fizioterapeutët.
“Ne i kemi distribuuar këta mjekë sipas nevojave në klinika do të trajtojnë pacientët me COVID-19. Jemi fokusuar në Klinikën Infektive, Pulmologjisë poashtu nga sot ka filluar që të rritet edhe përkujdesja profesionale ndaj pacientëve me COVID meqë kemi kyçur edhe fizioterapeutët që do të jenë në funksioni të ofrimit të shërbimeve për këta pacientë”, u shpreh Dr. Krasniqi.
Duke folur për zgjerimin e kapaciteteve hapësinore në QKUK, ai bëri të ditur se shpejt do të fillojë pranimin i pacientëve të dyshuar me COVID-19, edhe në Klinikën e Neurologjisë, me kapacitet rreth 60 shtretërve.
Drejtroi Krasniqi ka kumtuar edhe vendimin që ka marrë për pezullimin e pushimeve vjetore për të gjithë të punësuarit në njësitë e ShSKUK-së, deri më datën 1 Gusht 2020, e gjithë kjo është bërë në koordinim me Federatën Sindikale të Shëndetësisë, Odën e Mjekëve dhe odat e tjera të profesionistëve shëndetësor.
Sipas tij, Komiteti për menaxhim të situatës me Covid-19 në nivel të ShSKUK-së, po takohet në baza ditore dhe merr vendime varësisht nga gjendja dhe nevojat e paraqitura.
Dr. Lindita Ajazaj-Berisha, UD. Drejtoreshë e Klinikës Infektive, njoftoi se në Klinikë kanë të shtrirë 111 pacientë, prej tyre 59 me oksigjenoterapi.
Kurse, dr. Gazmend Spahija, përgjegjës i njësisë intensive në Mjekësi Sportive, tha se kanë të shtrirë 18 pacientë që të gjithë në gjendje të rënduar dhe me përkujdesje të vazhdueshme mjekësore”.