Gjendja e përgjithshme në shëndetësi, sfidat e saj, a ka bashkëpunim mes mjekëve shqiptarë dhe serbë, si dhe të ngjashme, ishin temat që u diskutuan mes mjekëve shqiptarë e serbë gjatë konferencës “Marrëdhëniet ndëretnike dhe shëndetësia në Kosovë” të hënën në Mitrovicë.
Doktoresha serbe, Rada Trajkoviq, e cila ka qenë edhe deputete e Kuvendit të Kosovës ka thënë se serbët e Kosovës nuk mund të mbijetojnë pa Beogradin, sidomos kur bëhet fjalë për sistemin shëndetësor. Serbët në spitalin e Prishtinës, shtoi ajo, nuk mund të ndjehen mirë kur nuk dëgjojnë bie fjala asnjë fjalë në gjuhën e tyre.
Por kolegia e saj shqiptare Nexharije Pllana, iu kundërvu Trajkoviqit duke e pyetur se si ndjehen shqiptarët e Preshevës të cilët mjekohen në spitalin e Vranjës dhe asnjë njeri nuk iu flet në gjuhën e tyre amtare.
Edhe Sinan Prekazi, u shpreh i habitur që edhe pas kaq vitesh dëgjon nga disa kolegë serbë se nuk duan institucione të përbashkëta shëndetësore.
Ai sqaroi përjashtimin e mjekëve shqiptarë nga spitali i veriut të Mitrovicës, vetëm për shkaqe të etnisë. Por në këtë takim të parin pas luftës kishte edhe mjekë të cilët kërkonin që të ndodhë pajtimi.
Musa Miftari, tha se bashkëpunimi ndëretnik duhet të fillojë në radhë të parë nga vetë mjekët. Rade Jankoviq, ka bërë të ditur se gjatë punës së tij shumëvjeçare ka bashkëpunuar shkëlqyeshëm me kolegët shqiptarë dhe nuk ka pasur asnjë problem.
Sipas tij, ai këtë traditë të mirë e vazhdon edhe sot, ndërsa ka apeluar në përafrim, pajtim dhe falje të njerëzve mes vete. Kjo ngjarje që ka takuar për herë të parë pas luftës mjekët shqiptarë dhe serbë në qytetin e Mitrovicës, u organizua nga RTV ‘Mitrovica’ dhe RTV ‘Mir’ nga Leposaviqi, ndërsa u mbështet nga OSBE-ja dhe UNMIK-u./KosovaPress/