Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Prof. Naser Ramadani i është kundërpërgjigjur kryetarit të komunës së Gjakovës Ardian Gjini, i cili një ditë më parë kritikoi IKSHPK-në për vonesën e rezultateve për stafin e spitalit të Gjakovës.
Ramadani ka thënë se është shqetësuese kur kryetarët e komunave ankohen ndaj Institutit. Sipas tij dikush po qëndron në “kokërr shpine” e dikush po punon pa ndalë. Madje ai i ka quajtur “grykësi”, kërkesat për rezultate të testeve për Covid-19.
“Numri i rasteve është shqetësues, dhe më shqetësuese është kur kryetarët e komunave ankohen tek IKSHPK-ja. Dikush është në kokërr shpine, e dikush punon pa ndalë. Ky laborator punon pa ndalë. Diagnostimi me real time PCR bëhet në procedurë të shpejtë. Testi negativ apo pozitiv nuk flet asgjë për qytetarët të cilët nuk kujdesen për shëndetin e tyre. Një grykësi e paparë edhe në pandemi unë nuk kam parë…Po shajnë e ofendojnë njerëzit për vonesat e rezultateve të analizave, por nuk ka urgjencë në testim. Ata që kanë nevojë për testim duhet të planifikohen dhe kjo shkon deri në 14 ditë. Vrapojnë si të çmendur në institucionet shëndetësore për të kryer analizat. Na respektoni se po ua shpëtojmë jetën. Na ruani, që të ju ruajmë”, ka deklaruar Ramadani në RTV Dukagjini.
Ramadani tutje ka kritikuar edhe qytetarët që sipas tij nuk po iu përmbahen rregullave dhe rekomandimeve kundër infektimit me virusin korona.
“Situata epidemiologjike ditëve të fundit është me raste të rritura. Edhe ekipi jonë me mund të madh jemi duke e mbajtur situatën epidemiologjike… Qytetarët nuk po i mbajnë tri rregulla: mbajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskës si dhe larjen e shpeshtë të duarve. Këto numra flasin shumëçka. Lehtësimi i masave është bërë nga njerëz shumë profesional të epidemiologëve dhe me rekomandim nga Ministria e Shëndetësisë, e cila e ka aprovuar dhe jemi duke e diskutuar bashke që nuk mjaftojnë vetëm apelet që po bëhen, por duhet të ketë edhe një mbikëqyrje solide e inspektorateve dhe organeve të rendit”, ka thënë Ramadani.