Rastet e reja pozitive me koronavirus Covid-19 në gjithë botën janë duke u rritur më shpejt sesa asnjëherë më parë. Këto statistika janë dhënë nga Universiteti “Johns Hopkins”
Gjatë muajit prill numri i rasteve të reja pozitive në nivel botëror pati arritur në 100 mijë në ditë. Ky numër ka rënë në vetëm pesë ditë pas datës 21 maj, ndërsa ka filluar të rritet ndjeshëm në qershor, raporton CNN, transmeton Gazeta Shneta.
Universiteti “Johns Hopkins” ka raportuar se numri i rasteve të reja brenda një dite ka arritur në 130 mijë më datën 3 qershor. Rritja e numrit mund të shpjegohet pjesërisht edhe për faktin se është rritur kapaciteti i testimeve.
Megjithatë sipas këtij raportimi, disa vende të botës ende kanë nevojë për më shumë teste për ta kompletuar fotografinë e plotë të gjendjes me pandeminë.
Numrat ndryshojnë nëpër vende të ndryshme të botës. Përshembull numri i rasteve të reja është ngadalësuar në vendet që kanë qenë të goditura më herët sikurse janë Kina, SHBA, Britani e Madhe, Italia, Spanja dhe Franca. Ndërsa numri është rritur ndjeshëm në Amerikën Jugore, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Në Libi, Irak, Uganda, Mozambi dhe Haiti, të dhënat e universitetin shfaqin numra të dyfishuar për çdo javë, ndërsa në Brazil, Indi, Kili, Kolumbi dhe Afrikë Jugore numrat po dyfishohen çdo dy javë.
Në rajonin tonë numri i rasteve të reja është rritur ndjeshëm në Maqedoninë Veriore me mbi 100 raste, ndërsa në Serbi mbi 70 sosh. Edhe në Kosovë është bërë thirrje për kujdes të shtuar për shkak se në javën e fundit ka pasur rritje të rasteve pozitive dhe vatrave të reja të virusit. /Gazeta Shneta/