Rasti i abuzimit, policia arreston gjinekologun Ahmeti

2019-02-07 në ora 19:08

Gjinekologu Fehmi Ahmeti është arrestuar pasditen e sotme nga Inspektorati i Policisë së Kosovës.

Ahmeti dyshohet se ka performuar abortin e vajzës së abuzuar nga Drenasi, e cila kishte ngelur shtatzënë pas abuzimit nga zyrtari policor në Drenas, Vesel Veseli.

Abortin në fjalë viktima A.G ishte detyruar ta kryejë nga Veseli.

“Në vazhdën e hetimeve të këtij rasti, në konsultim me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së kanë vazhduar të ndërmarrin veprime hetimore shtesë drejt ndriçimit të plotë të rastit. Në kuadër të këtyre veprimeve hetimore, sot është ftuar për intervistë edhe një i dyshuar tjetër për këtë rast (i treti në rastin e njëjtë) ( me inicialet F.A – i cili nuk është zyrtar policor). Pas intervistimit të këtij të dyshuari, të njëjtit më vendim të prokurorit i është caktuar sot në orët e mbrëmjes masa e ndalimit për 48 orë.

Arrestimi i të njëjtit nga hetuesit e Inspektoratit Policor është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “ndërprerje e palejuar e shtatzënisë” (e paraparë në nenin 184 të Kodit Penal). Me kërkesë të Inspektoratit Policor, zyrtarë nga Inspektorati Shëndetësor kanë kryer sot edhe një inspektim specifik në një ordinancë private mjekësore e cila pas këtij inspektimi është mbyllur për kohë të pacaktuar. Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast do të vazhdojnë deri në ndriçimin e plotë të rastit në koordinim me Prokurorinë kompetente’, thuhet në njoftimin e IPK’së.