Në Klinikën e Infektivës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është paraqitur rasti i dytë i infektimit me malarie në këtë vit në Kosovë. Rasti i parë ishte shfaqur në muajin janar të po këtij viti.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani, për RTV Dukagjini, duke thënë se bëhet fjalë për një 24-vjeçar, i cili ishte prekur nga kjo sëmundjet gjatë vizites në nigeri. Ai bën të ditur se gjendja shëndetësore e pacientit është në rregull, si dhe së shpejti pritet të largohet nga spitali.
“Kemi ndalë pacientin në fjalë në Klinikën Infektive, me dyshimet se ka një sëmundje të mundshme tropikale siç është Malaria. Problemi ishte se pacienti nuk na ka treguar të dhënat se pacienti kishte udhëtuar në Nigeri”, është shprehur Hamdi Ramadani, përcjell Telegrafi.
Ramadani shprehet se mundësia e përhapjes së kësaj sëmundje në vendin tonë nuk ekziston. Ndërkaq edhe për trajtimin e saj, Klinika është e pajisur me terapi alternative.
“Nuk është sëmundje e vendit tonë, Kosovës, dhe nuk ka rrezik të përhapet kjo sëmundje, sepse kusht për t’u përhapur kjo sëmundje është që temperatura gjatë natës të shkojë në 18 ose 20 gradë Celsius”,
ka shtuar më tej Ramadani.
Në vendin tonë me këtë sëmundje ishte paraqitur edhe një rast në janar të këtij viti tek një 66 vjeçar.