Reagim i dy kirurgëve për numrin e operacioneve dhe sqarimi i Gazetës Shneta

2018-08-17 në ora 11:23

Dy kirurg të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në QKUK kanë reaguar ndaj shkrimit të Gazetës Shneta me titull “Dembelët e Klinikës së Kirurgjisë Abdominale më pak se 10 operacione për 6 muaj”. Gazeta ka raportuar për numrin e operacioneve që kanë kryer mbi 30 mjekë të kësaj klinike, e që ka rezultuar se disa prej tyre kanë kryer më pak se 10 sosh për 6 muaj.

Redaksia sqaron mjekët dhe opinionin se artikulli i Gazetës është bazuar në një raport zyrtar për punën e klinikës nga 1 janari deri më 30 qershor të këtij viti. Sipas këtij raporti të cilin e posedon Gazeta, Dr. Armend Xhemajli ka kryer pesë operacione si mjek kryesor, ndërsa ka asistuar në 9 sosh. Xhemajli ka mohuar një gjë të tillë duke deklaruar në reagim se ka kryer 14 operacione si operator kryesor dhe 35 asistime.

Kirurgu tjetër, Dr. Arsim Çerkinaj, në raportin zyrtar thuhet se ka punuar 17 operacione si mjek kryesor dhe 29 si asistent. Në reagim ai ka deklaruar se ka kryer 40 operacione si mjek kryesor dhe 68 asistime. Të dy kirurgët kanë pohuar se këto të dhëna i kanë nxjerrë nga protokollet zyrtare në bllokun operativ dhe në protokollin e Emergjencës në QKUK.

“Ne ju njoftojmë se ne si kirurgë të rregullt jemi te punësuar në klinikë nga data 21.06.2018  dhe ndërkohë ne kemi punuar si kirurgë te angazhuar vetëm në kujdestari  deri me datën e punësimit”, kanë deklaruar mjekët në reagim. /Gazeta Shneta/