Reagim i Klinikës së Nefrologjisë dhe sqarim i redaksisë së Gazetës Shneta

2018-08-14 në ora 15:24

Klinika e Nefrologjisë në QKUK ka reaguar pas një shkrimi të publikuar nga lajmi.net lidhur me ankesën e një pacienteje e cila ka pretenduar me anë të një fotografie se i është dhënë insulinë pa afat.

Klinika ka mohuar se një insulinë e tillë i është dhënë ndonjë pacienti si dhe ka mohuar se është kontaktuar ndonjë nga zyrtarët apo mjekët e klinikës.

Redaksia e Gazetës Shneta sqaron menaxhmentin e Klinikës si dhe opinionin se ky artikull është publikuar duke cituar burimin dhe autorin, në këtë rast portalin lajmi.net. Artikulli nuk është prodhim i Gazetës Shneta por vetëm ripublikim nga një portal tjetër, në këtë rast lajmi.net, prandaj nuk mban përgjegjësi për deklaratat e dhënë në artikull.

Reagimi i plotë i Klinikës së Nefrologjisë:

Ne menaxhmenti dhe stafi i Klinikës së Nefrologjisë reagojmë ashpër ndaj shkrimeve të publikuara në portalet lajmi.net dhe gazeta Shneta me titujt: “Pacientët ankohen se në Klinikën e Nefrologjisë në Prishtinë u jepet insulinë pa afat”  dhe “Insulinat pa afat për pacientët në Nefrologji të QKUK –së”

Ne si staf dhe menaxhment jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me ato çka lexojmë në portalet e lartshënuara.

E para,  sa i përket insulinës nga muaji 12, i vitit 2017 deri me 05.06.2018 ne nuk kemi qenë të furnizuar me insulinë dhe në atë periudhë kohore pacientët e kanë siguruar vetë insulinën, asnjëherë nuk kemi pasur në depot tona insulinë me afat të skaduar çka mund të verifikohet me dokumentacionin ekzistues.

E dyta,  është komplet e pandershme dhe e PANDERGJEGJËSHME të publikohen inicialet e mjekeve tona dhe të citohen si “emër i njohur për redaksinë” dhe të shkruhen pasuse fiktive “nuk ka qenë e mundur të kontaktohen Klinika e Nefrologjisë dhe mjekja në fjalë” sa për informacionin tuaj askush nga klinika jonë nuk është kontaktuar për këtë çështje, për me tepër këto shkrime janë botuar ditë të shtune dhe të diele,  dt 11 dhe 12 gusht 2018!!!

Nuk është aspak në rregull kushdo që dëshiron, e qe nuk e ka guximin as të deklarohen me emër e mbiemër dhe të tregojnë te vërtetën e  të njollosë punën tonë.

Kërkojmë që ky reagim yni të botohet, e mos të lejohet që me të pavërteta të njolloset puna e stafit të Klinikës së Nefrologjisë, meqë nuk qëndrojnë as titulli e as teksti i botuar nga portali lajmi.net e më pas edhe nga Gazeta Shneta.