Klinika e Hematologjisë ka dërguar një reagim në adresë të Gazetës Shneta lidhur me një artikull ku janë publikuar disa kritika të familjarëve të një pacienteje.
Në reagimin e klinikës është sqaruar procedura e trajtimit të pacientes në fjalë. Menaxhmenti i klinikës ka thënë se përkundër ofendimeve dhe fyerjeve nga familjarët, stafi ka vazhduar të shërbej pacienten më terapinë e caktuar nga mjekët.
Lexoni reagimin e plotë:
“Reagim ndaj artikullit të botuar në gazetën Shneta lidhur me kritikën ndaj stafit kujdestar të Klinikës së Hematologjisë”
Më datë 4 Dhjetor 2020 në Klinikën e Hematologjisë rreth orës 11:30 është paraqitur një paciente e cila ka ankuar në dhembje koke, lodhje të thekësuar, metroragji të prolonguar dhe pas analizave hemoglobina ka rezultuar në 5.6g/dl. Duke parë gjendjen e pacientes, mjeku hematolog i ka shkruar terapi me preparate të Fe dhe është vendosur që ti ordinohet transfuzion me eritrocite. Për këtë arsye pacientja është vendosur ne Klinikë deri në marrjen e gjakut edhe pse sipas ankesave të saj, ajo do të duhej ti nënshtrohej trajtimit në Klinikën e Gjinekologjisë, por pas matjes së tensionit arterial mjeku hematolog ka vlerësuar se është më pak e mundishme për pacienten që ajo të marr terapinë në Klinikën e Hematologjisë.
Më datë 5 Dhjetor 2020 pacientja paraqitet përsëri në Kliniken e Hematologjisë dhe pas përsëritjes së analizave, mjekja kujdestare ka vendosur që ta trajtoj përsëri me transfuzion eritrocitesh. Duhet të dihet se përgatitja e transfuzionit e deri në marrjen e tij është procedurë e cila kërkon kohë. Gjatë kësaj kohe kur pacientes i është dashur të qëndroj në pritje, familjarët e saj kanë shprehur pakënaqësitë me këtë procedurë duke i’u adresuar personelit mjekësor me fjalë fyese. Prezente në atë kohë ishin dy dokotresha, staf i Klinikes së Hematologjisë, të cilave familjarët e pacientes i’u drejtuan me fjalët “Lopë” dhe “Idiote”.
Sigurisht se stafi ka vazhduar me dhënien e terapisë duke injoruar një fjalor të këtillë.
Më datë 6 Dhjetor 2020 pacientja paraqitet në Klinikë përsëri për të marrur terapinë dhe pranohet nga njëra prej doktoreshave që kishte marrur fyerjet një ditë më parë. Pas kryerjes së analizave sërish i është rekomanduar transfuzion eritrocitesh. Duke pritur për përgatitjen e transfuzionit, familjarët përsëri kanë bërë një skenar të ngjashëm me atë të para një dite dhe kësaj radhe kanë treguar se do të xhirojnë cdo veprim të doktorëve të kësaj Klinike. Pavarësisht sjelljeve që bëhen nga familjarët, e në disa raste edhe nga pacientët, stafi ka për obligim që të jap terapinë për trajtim konform obligimeve të tyre. Njejtë ka ndodhur edhe në këtë rast ku gjatë gjithë kohës të qëndrimit në Klinikë, pacientja ka pranuar terapinë adekuate. Pas përfundimit të terapisë dhe pas largimit nga objekti i Klinikës, në rrjete sociale është bërë një postim ku familjarët e kësaj paciente janë ankuar për stafin e Hematologjisë. Ky postim është marrur nga Gazeta Shneta e cila e ka publikuar si lajm. Stafi menaxherial i Klinikes është vënë në dijeni për këto ankesa vetëm pas publikimit të këtij lajmi, kjo sepse nuk ka pasur ankesa në rrugë zyrtare drejtuar menaxhmentit të Klinikës.
Klinika e Hematologjisë merr seriozisht cdo ankesë dhe poashtu, nëse në këtë rast gjenden shkelje të obligimeve të stafit mjekësor, trajtimi i tyre do të bëhet ashtu sic parashihet me ligj. Njëkohësisht, Klinika e Hematologjisë dënon gjuhën fyese dhe denigruese të përdorur ndaj stafit mjekesor.
Për fund i bëjmë thirrje të gjitha mediave që të mos bien pre e pretendimeve të ndryshme dhe kështu të kërkojnë sqarime më të hollësishme
para publikimeve të rasteve të tilla.