Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetësorë ka reaguar ashpër kundër taksës 100 euroshe të vendosur nga Oda e Infermierëve të Kosovës për provimin e rilicencimit.
Në reagimin e tyre Sindikata e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë kundërshton vendimin e Odës së infermierëve për provimin e rilicensimit, shkruan Gazeta Shneta.
“Ne jemi kundër ngritjes së çmimit për provimin e rilicensimit në 100 euro për shkak se infermierët paguajnë çdo muaj 0.5% të ardhurave mujore për OIK dhe kjo mjafton. Për shkak të paknaqësive të mëdha të infermierëve që kanë shfaqur në adresën tonë. I bëjmë thirrje OIK që sa më shpejt t’a heq këtë pagesë, në mënyrë që mos të rëndojë më shumë gjendjen edhe ashtu të rëndë financiare të infermierëve”, thuhet në reagim.
Gazeta ka raportuar dje për dy vendime të ndryshme të Odës së Infermierëve për shtrenjtimin e provimit të rilicencimit. Në mars të vitit të kaluar Këshilli Drejtues i OIK kishte vendosur ndryshimin e tarifës për provim të rilicencimit nga 60 në 100 euro, ndërsa në tetor 2019 këtë taksë e kishte ngritur deri në 150 euro.
Ky shtrenjtim ka shkaktuar reagime të ashpra nga komuniteti i infermierëve të cilët po kërkojnë rikthimin e çmimeve siç kanë qenë më herët, ndryshe kanë paralajmëruar protesta. /Gazeta Shneta/