Reagon kryetarja e mamive: Nuk kam folur për lindjen e bebes në pllaka

2017-05-07 në ora 15:26

Kryetarja e Shoqatës së Mamive të Kosovës, Magbule Elezi, ka bërë një sqarim të deklaratave të saj në lidhje me skandalet e lindjeve në Gjinekologji të QKUK-së.

Ajo ka thënë se nuk e ka komentuar rastin e një nëne e cila lindi beben në pllaka, duke pohuar se nuk ka të drejtë të flas për këtë rast pasi me të po merren komisionet, shkruan Gazeta Shneta.

“Dua personalisht të sqaroj se në asnjë moment unë nuk kam thënë se është normale të ndodh procesi i lindjes në pllaka të QKUK-së. Prandaj për rastin në fjalë ( lindjen në pllaka të QKUK-së), unë nuk kam pasur edhe as që kam të drejtë të deklarohemi pasi me të po meren komisionet përkatëse”, është shprehur Elezi.

Megjithatë, kjo është deklarata e saj në lidhje me skandalet e lindjeve në QKUK, e cila zgjoi reagime të shumta në rrjetet sociale. Pohimet e saj më tepër lënë të kuptohet se ka dashur të arsyetojë neglizhencën e stafit të Gjinekologjisë, sesa të kryej rolin e saj si mami duke mbrojtur nënën dhe foshnjën në këtë rast dhe duke fajësuar familjarët për skandalin.

“Lindja cilësohet normale dhe kudo që lind një nënë mjafton që ajo të ndihet komode. Nuk janë vetëm shërbimet, mjafton të rikujtojmë kohën e kaluar ku nënat kanë lindur nëpër shtëpia e gjatë luftës kanë lindur nëpër male. Sa i përket skandaleve që kanë qenë ato janë se familjarët i kanë marrë në atë mënyrë. Lindja cilësohet se mund të kryhet kudoqoft”, është shprehur Elezi për ekonomiaonline.

Elezi në reagimin e saj thotë se ka dashur të sqaroj krejt diçka tjetër.

“E tëra që jam munduar të sqaroj në atë intervistë është roli i mamive në procesin e lindjes dhe bashkepunimi i tyre me nënat për një lindje të shëndosh”, është shprehur mamia.

Ja sqarimi i plotë i saj:

Dua personalisht të sqaroj se në asnjë moment unë nuk kam thënë se është normale të ndodh procesi i lindjes në pllaka të QKUK-së. Më vjen shumë keq që deklaratat e mija shpjeguese me horizont më të gjerë për rolin e mamive, janë nxjerë nga konteksti, dua të besoj se nuk janë bërë qëllimshëm.

Dua të sqaroj edhe njëherë së në bazë të procedurave të rregullta dhe në vendet perendimore, është nëna ajo që vendos se ku dhe me kë dëshiron me e zhvillu procesin e lindjes. Prandaj për rastin në fjalë ( lindjen në pllaka të QKUK-së), unë nuk kam pasur edhe as që kam të drejtë të deklarohemi pasi me të po meren komisionet përkatëse.

E tëra që jam munduar të sqaroj në atë intervistë është roli i mamive në procesin e lindjes dhe bashkepunimi i tyre me nënat për një lindje të shëndosh.

Personalisht si drejtues e Shoqatës së Mamive po punoj dhe do të vazhdoj të punoi që të drejtave e mamive në Kosovë të respektohen, ky është misioni im i vetëm që kam si drejtuese e kësaj shoqate. FALIMINDERIT