Janë regjistruar edhe katër raste me koronavirus në Kosovë, duke çuar numrin total në 28.
Lajmi është konfirmuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ku kanë treguar se një rast i ri është shfaqur në Ferizaj, ndërsa tre rastet tjera janë kontakte të të konfirmuarve më herët.
“Nga katër rastet e konfirmuara, njëri është rast i importuar nga Gjermania, i gjinisë mashkull, 32 vjeç me vendbanim në Bibaj-Ferizaj. Ndërsa tre rastet tjera pozitive janë raste kontakti, 2 prej tyre janë me vendbanim në Prishtinë femra të moshës 50 dhe 29 vjeçare dhe e treta me vendbanim në Gjakovë e gjinisë femër, 40 vjeçare Të gjitha kontaktet janë të identifikuara”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Instituti ka njoftuar se nga data 08.02.2020 deri me 21.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 447 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej njëzet e tetë raste kanë rezultuar pozitive.
Në qendrën e thirrjeve deri më tash janë pranuar në total 3.319 thirrje, ndërsa vetëm në 24 orët e fundit janë pranuar 350 thirrje telefonike. /Gazeta Shneta/