Deri para 10 viteve, roli dhe funksioni i anesteziologut pothuajse ka qenë i anashkaluar. Aktualisht, Dr. Lulzim Emini thotë se ky profesion është duke marr pozitën e merituar nga pacientët, por jo edhe nga shteti
Jeta e pacientit gjatë operacionit varet plotësisht nga puna e anesteziologut. Ky është përgjegjës për të gjitha organet, nga sistemi nervor, kardiovaskular, respirator, enët e gjakut, eshtrat, e deri tek ndryshimet në lëkurë.
Anesteziologu Dr. Lulzim Emini, thotë se pas zhvillimit të teknologjisë informative, pacientët kanë filluar të vlerësojnë punën e tyre dhe madje interesohen të marrin përgjigje për pyetje të shumta profesionale.
“Anesteziologu ka detyrë parësore që para operacionit t’ia shpjegoj pacientit çdo gjë në detaje, të aplikoj anestezionin dhe pas operacionit të diskutojë sërish me pacientin për të parë nëse gjithçka është në rregull”, thotë Emini në një bisedë për Gazeta Shneta.
Mjeku konsideron se kirurgu ka për obligim të kujdeset në segmentin ku ai operon, por rëndësia dhe përgjegjësia është më e madhe tek anestezioni.
Për këtë arsye Emini shprehet se anesteziologët duhet të bëjnë më shumë për promovimin e punës së tyre.
“Anestezioni dhe mjekimi intensiv në botë konsiderohet si mbretëreshë e mjekësisë”, deklaron ai.
“Gabimi jonë paguhet me jetë”, shton mjeku.
Sipas tij, profesioni i anesteziologut dallon diametralisht me profesionet tjera mjekësore. Emini thotë se anestezioni funksionalizon 20 klinika tjera në QKUK. Ai kërkon të bëhet diferencim në paga por edhe në aspektin e avancimit në karrierë.
“Investimi në Klinikën e Anesteziologjisë është investim në të ardhmen e shëndetësisë së Kosovës”, thotë Emini.
Operacioni që i ka zgjatur më së shumti është 14 orë. Por mjeku thotë se është shumë më e vështirë kur brenda 24 orëve kryen deri në 16 operacione të cilat zgjasin më shumë se 1 orë. Ndërsa rekomandohet që të kryhen 4-5 sosh.
“Por në këto kushte jemi të mbështetur për muri sepse pacienti vjen dhe ne duhet ta kryejmë secilin operacion”.
Në Kosovë janë rreth 50 anesteziolog dhe Emini thotë se duhet të jenë së paku 200. Ai konsideron se përveç numrit deficitar të anesteziologëve, edhe paga e tyre është denigruese, shkruan Gazeta Shneta.
“Sot në shtetin tonë ka njerëz që bëjnë punë fare të pa leverdishme dhe marrin paga 5 herë më të mëdha sesa ne, kjo është ofenduese. Rroga bazë e një anesteziologu është rreth 650 euro. Kaq paguhet një shofer nëpër institucionet tona”, deklaron Emini.
Frika e pacientëve para operacionit
Dr. Lulzim Emini flet për frikën e pacientëve para operacionit e cila është e pranishme si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit. Ai tregon se pacientët zakonisht frikësohen së pari me diagnozën, për fatin e tyre ndërsa kulmi i këtij shqetësimi është në ditën e operacionit.
“Kulmi i atij shqetësimi është në ditën e operacionit dhe ne i menaxhojmë nëpërmjet diskutimeve dhe barnave që iu japim”, pohon mjeku.
4 deri 5 anesteziolog punojnë që gjithçka të shkojë mirë gjatë një operacioni.
Pas përfundimit, përmesa barnave nga anesteziologët pacienti zgjohet dhe fillohet t’i bëhen pyetje nëse ka dhimbje eventuale.
“Përvojat e tyre mbi 95 për qind janë se ka qenë më lehtë sesa që kanë menduar dhe kjo na bënë të mendojmë se ia kemi arrit qëllimit tonë”, vlerëson Dr. Emini.
Ai thotë se pas këndelljes së plotë të pacientëve, në shumicën e rasteve fytyrat më të zbehta i kanë familjarët.
“Derisa pacienti ka kaluar një barrë të madhe, familjarët ende mbajnë barrën se çfarë do të ndodhë më tutje”.
Emini e vlerëson lart profesionin e tij, për shkak të përgjegjësisë së madhe që e mban. Ai thotë se asnjëherë nuk i adaptuar me situatat e rënda me pacientët, dhe kjo e bënë gjithmonë të jetë i vetëdijshëm për rëndësinë e anestezionit.
“Është profesion që kërkon vetëdije të lartë sepse në dorë e ke jetën e një fëmije, një të riu, një zonje, një njeriu. Prandaj përgjegjësia profesionale dhe etiko-morale duhet të jetë në nivelin më të madh të mundshëm sepse profesioni jonë nuk lejon shkarje. Politikanët mund të gabojnë dhe e paguan populli, por nëse gabon anesteziologu nuk ka mundësi të korrigjimit”, përfundon Dr. Lulzim Emini. /Gazeta Shneta/