Reumatologjia me mungesë kushtesh, numri i pacientëve mjaft i madh

2018-08-10 në ora 14:55

Klinika e Reumatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po përballët me mungesa elementare, duke filluar nga barnat, hapësira e deri tek stafi i infermierëve.

Ariana Ismaili

Klinika e Reumatologjisë në QKUK ofron rreth 5400 shërbime ambulantore në vit, ndërsa hospitalizon rreth 1100 pacient. Kjo shifër sipas drejtorit të klinikës, dr. Avni Kryeziut është shumë e lartë, pasi që, kjo klinikë është e vetmja qendër refrente në nivel vendi.

“Pacientët vijnë nga çdo qytet edhe për kontrolla edhe për trajtim, numri i tyre tejkalon kapacitetin e vet klinikës”, ka thënë ai. Poashtu, Kryeziu ka deklaruar se nuk ka as hapësirë e as barna të mjaftueshme, shkruan Gazeta Shneta.

“Nevojitet të paktën dyfishimi i shtretërve, poashtu edhe infermierë, sepse nevoja është urgjente për t’i mbuluar të gjitha shërbimet”, ka shtuar mjeku. Sipas tij, në Reumatologji, rastet më të shpeshta, janë ato me reumatizëm inflamator autoimun, reumatizëm degjenrativ, parareumatik dhe reumatizëm me rreth artikukar, por për trajtimin e këtyre rasteve, klinika nuk posedon barna esenciale.

“Nuk ka barna për mjekim rutinor hospitalor, andaj pacientët duhet t’i sigurojnë ato”, ka deklaruar Kryeziu.

Tutje, mjeku shprehet se sëmundjet reumatike kryesisht vijnë nga mosha, faktori gjenetik dhe ambienti ku jetojmë.

“Njerëzit duhet t’I kushtojnë rëndësi secilës simptomë, sepse sa më herët të diagnostifikohet rasti, aq më mire pasi që shërohen më shpejtë, përveq rasteve më serioze”, ka përfunduar Kryeziu.