Një studim i ri ka zbuluar se administrimi i koagulantëve të gjakut me bazë heparinë tek pacientët me Covid-19 në 24 orët e para të pranimit në spital uli rrezikun e humbjes së jetës.
Studiuesit vunë re një rrezik të zvogëluar 27% të vdekshmërisë 30-ditore në mesin e pacientëve që morën koagulant të gjakut shkruan MedicalNewsToday përcjell Gazeta Shneta.
Është thënë edhe më parë, se mpiksja e tepërt e gjakut është një shenjë dalluese e disa rasteve të rënda Covid-19.
Në maj të vitit 2020, eksperte e gjendjes së trombozës, Prof. Beverley Hunt tha për Medical News Today se ajo ishte e befasuar kur zbuloi nivele kaq të larta të faktorëve të koagulimit në gjakun e pacientëve me Covid-19 të rëndë.
“Tani e dimë që këta pacientë kanë gjak tepër të ngjitshëm. Kjo ngjitje është duke bërë që ata të kenë trombozë të venave të thella. Dhe sigurisht, nëse keni një trombozë të venës së thellë, pjesë të saj mund të prishen dhe të përshkojnë trupin tuaj dhe të bllokojnë furnizimin me gjak në mushkëri”, shtoi Prof. Hunt.
Në spitalin ku punon ajo, pacientët në mënyrë rutinore po merrnin doza të vogla antikoagulantësh për të zvogëluar rrezikun e mpiksjes së gjakut.
Dhe ndërsa të dhënat për përdorimin e holluesve të gjakut filluan të shfaqeshin, azhurnimet e udhëzimeve klinike ndoqën shembullin.
Instituti Kombëtar i Shëndetit (NIH), rekomandon që të gjithë ata që janë të shtruar në spital për trajtim Covid-19, përveç kategorisë së shtatzënave, të marrin antikoagulantë si profilaktikë. /Gazeta Shneta/